Lunacek: Kuvendi dhe Qeveria të sillen me përgjegjësi karshi qytetarëve
Zëvendës presidentja e Parlamentit Evropian dhe njëkohësisht raportuese për Kosovën, Ulrike Lunacek, i ka bërë thirrje Kuvendit të Kosovës dhe qeverisë që, siç tha, të sillen “në mënyrë të përgjegjshme ndaj qytetarëve të Kosovës”.
Në një përgjigje me shkrim për Radion Evropa e Lirë, Lunacek tha se “institucionet e Kosovës duhet urgjentisht të përmbushin dy kriteret e mbetura për liberalizim të vizave”.
Deklarata e Lunacek erdhi në ditën kur përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, arritën pajtim rreth mekanizmave për pezullimij e liberalizimit të vizave, për shtetet të cilat gëzojnë këtë mundësi, në raste të keqpërdorimeve apo rrezikut nga migrimi masiv.
“Vendimi për pezullim nënkupton se Ukraina dhe Gjerogjia po ecin përpara dhe se Kosova duhet ta shfrytëzojë këtë moment! Është një mundësi e madhe dhe i bëj thirrje Kuvendit të Kosovës dhe Qeverisë që të veprojnë në mënyrë të përgjegjshme ndaj qytetarëve të Kosovës të cilët e meritojnë udhëtimin e lirë pa viza, dhe të pëmbushin urgjentisht dy kriteret e mbetura me qëllim që ta shtyjmë përpara në nivelet e BE-së” i tha Radios Evropa e Lirë, Ulrike Lunacek.
Miratimi në Kuvend i marrëveshjes për përkufizimin e vijës kufitare me Malin e Zi ka nxitur një valë reagimesh të opozitës që e ka kundërshtuar marrëveshjen përmes përdorimit të gazit lotësjellës dhe protestave në rrugë.
Marrëveshja u tërhoq nga Kuvendi me vendim të qeverisë së Kosovës me paralajëmrimin se do ta rikthejë “kur të arrihet një pajtueshmëri”.
Kushti i dytë është forcimi i luftës kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar.
Mekanizmat e BE-së për suspendimin e regjimit pa viza – Kosova t’i përmbushë kushtet
Përfaqësuesit e Komisionit Evropian, Parlamentit dhe Këshillit të BE-së, kanë arritur pajtim rreth mekanizmave për pezullimin e liberalizimit të vizave, për shtetet të cilat gëzojnë këtë mundësi, në raste të keqpërdorimeve apo rrezikut nga migrimi masiv.
Me këto mekanizma, që pritet të hyjnë në fuqi së shpejti, shtetet anëtare do ta kenë më të lehtë te rivendosin vizat me një procedurë shumë më të shpejtë.
Deri më tash, hyrja në fuqi e këtyre mekanizmave është përmendur në BE si pengesë që disa shtete të pranojnë heqjen e vizave për tri shtetet që janë në pritje; Ukrainën, Gjeorgjinë dhe Kosovën.
Me këtë, nga ana e BE-së janë hequr pengesat politike për liberalizimin e vizave për këto shtete.
Por, në rastin e Kosovës mbetet të përmbushen edhe dy kushte: ratifikimi i marrëveshjes për kufirin me Malin e Zi dhe rezultatet konkrete në luftë kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit.
Pa përmbushjen e këtyre kushteve nga Kosova, thonë në BE, nuk do të ketë ecje përpara në proces, ndërkohë që dy shtetet tjera i kanë përmbushur të gjitha kushtet dhe atyre pritet së shpejti t’u hiqen vizat.
“Kjo marrëveshje është e balancuar dhe është jashtëzakonisht e rëndësishme, si për efikasitetin, ashtu edhe për kredibilitetin e politikës së unionit për liberalizim vizash. Mekanizmat ekzistues të suspendimit nuk janë të përshtatshme dhe ato do të përmirësohen. Në të njëjtën kohë, fakti se kemi arritur marrëveshjen do të duhej të hapte derën për përparim të mëtejmë në bisedat për liberalizimin e vizave me vendet të cilat i kanë përmbushur të gjitha kërkesat e nevojshme”, ka thënë ministri i brendshëm i Sllovakisë, Robert Kaliňák, i cili edhe kryeson Këshillin e ministrave të brendshëm të BE-së.
Më herët, ndër arsyet për suspendimin e të drejtës për udhëtim pa viza ishin përfshirë rritja e madhe e numrit të azilkërkuesve të pa bazë, rritja e numrit të atyre që nuk u lejohet hyrja, apo e atyre të cilët tejkalojnë afatet kohore të qëndrimit në vendet e BE-së.
Me marrëveshjen e fundit, listës së arsyeve për të cilat do të mund të rivendosej regjimi i vizave i janë shtuar edhe ulja e nivelit të bashkëpunimit në riatdhesim, rritje domethënëse e shkallës së refuzimit të kërkesave për riatdhesim, përfshirë edhe për shtetasit e vendeve të treta në transit, sikur edhe rritja e rrezikut për sigurinë e brendshme të shteteve anëtare.
Edhe për vendet që janë të përfshira në liberalizimin e vizave, sikur edhe për ato që do të përfshihen në të ardhmen, përfshirë edhe Kosovën, vizat do të mund të rivendosen fillimisht për një periudhë tremujore, me notifikim nga këto vende në Komisionin Evropian, apo me shumicën e thjeshtë të votave të shteteve anëtare.
/Ora News/