LVV dhe LDK as sot nuk arrijnë marrëveshjen

Takimi i sotëm i krerëve të Lëvizjes Vetëvendosje dhe Lidhjes Demokratike të Kosovës, Albin Kurtit dhe Isa Mustafës, nuk ka rezultuar me arritjen e marrëveshjes për koalicion qeverisës mes këtyre dy subjekteve politike. Dështimin në arritjen e marrëveshjes e kanë konfirmuar për “Telegrafin” burime nga dy partitë brenda takimit, të cilat kanë thënë se LVV dhe LDK në takimin e sotëm nuk kanë arritur të pajtohen në ndarjen e pushtetit për bashkëqeverisje në mandatin e ardhshëm katërvjeçar. Pas takimit që ka zgjatur mbi dy orë, zyrtarët e lartë të dy partive, që morën pjesë në takim, kanë dalë nga Kuvendi pa folur para mediave.

Kurti e Mustafa janë dakorduar që të vazhdojnë takimet në arritjen e një marrëveshjeje për bashkëqeverisje. Ndryshe, kryetari i Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, ka thënë sot para takimit me Mustafën se beson që në këto ditët e mbetura do ta rrumbullakojë marrëveshjen me Lidhjen Demokratike të Kosovës dhe të shkojë në Kuvend për ta votuar Qeverinë e re në kuadër të afatit 15 ditësh.

Ai ka thënë se e kupton që ka frustrim të madh, por tashmë janë afatet kushtetuese dhe qytetarët nuk do të presin më gjatë se në fillim të javës së ardhshme. Mundësinë e arritjes së marrëveshjes në takimin e sotëm e kishte konfirmuar edhe kreu i LDK-së, Isa Mustafa. Ndërsa, nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu ka thënë se sot se çështja e bisedimeve me LVV-në duhet të mbyllet sot.

Veliu ka bërë të ditur se LDK nuk heq dorë nga posti i Kryeparlamentarit dhe kërkon zotimin e VV-së se do ta përkarahin LDK-në për postin e Presidentit. Kujtojmë se në zgjedhjet e 6 tetorit 2019 dy partitë më të votuara janë Lëvizja Vetëvendosje me 26.270% të votave dhe Lidhja Demokratike e Kosovës me 24.548% të votave. Ndryshe, presidenti Hashim Thaçi e ka nominuar kryetarin e LVV, Albin Kurti mandatar për formimin e Qeverisë.

SHKARKO APP