Macron i shkruan Vuçiç: Duam të jemi pjesë e dialogut Kosovë-Serbi

Perëndimi duket hapur se dëshiron që çështja Kosovë-Serbi të përmbyllet në vitin 2019. Pas SHBA-së e cila dëshiron të përfshihet në dialog për zgjidhjen finale, tashmë edhe Franca dëshiron të bëj të njëjtën. Macron lidhur me këtë çështje i ka shkruajtur një letër Vuçiçit.

Presidenti i Francës, Emanuel Macron, ka thënë se shteti i tij dëshiron që të jetë edhe më i përfshirë në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, me qëllim të stabilizimit të rajonit të Ballkanit Perëndimor. Në një letër të dërguar ne adresë të presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiq, Macron thotë se i mbështet përpjekjet e Serbisë për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare Kosovë-Serbi

Ashtu si Trump, edhe Macron ka shprehur interesin e Francës që të përfshihet në dialog, me qëllim të gjetjes së një zgjidhje të qëndrueshme në Ballkanin Perëndimor. “Dua që Franca të jetë më e angazhuar në një nivel dypalësh, në favor të stabilizimit dhe qëndrueshmërisë së Ballkanit Perëndimor. Me këtë rast unë i mbështes përpjekjet taja për të arritur një marrëveshje gjithëpërfshirëse dhe përfundimtare me Prishtinën, pavarësisht pengesave aktuale për dialogun”, thuhet në letrën e presidentit francez dërguar homologut të tij serb me datë 1 Janar të vitit 2019, shkruan Gazeta Express.

Në këtë letër përveç tjerash, presidenti francez ka paralajmëruar një vizitë që do ta realizojë shumë shpejtë në Serbi.

Kjo letër e presidentit Macron, vjen pak ditë pas letrës që presidenti i SHBA-së, Donald Trump, kishte dërguar në adresë të Aleksander Vuçiqit dhe presidentit të Republikës së Kosovës, Hashim Thaçit, në të cilën fliste për arritjen e një marrëveshje finale e historike ndërmjet dy shteteve që do të nënshkruhej në Shtëpinë e Bardhë në Washington.

Megjithatë liderët politik në serb, përfshirë edhe kryeministren serbe, Ana Brnabiq, janë skeptik për arritjen e një kompromisi, pasi sipas tyre veprimet e ndërmarra nga Prishtina kanë bërë që dialogu të stagnojë dhe madje edhe të bëjë hapa mbrapa. Këtu kanë përmendur vendimin për taksën dhe krijimin e Ushtrisë së Kosovës./GazetaExpress/

SHKARKO APP