Maqedonia e Veriut ka përfituar nga taksa 100% e Kosovës

Kompanitë nga Maqedonia e Veriut kanë arritur të përfitojnë në masë të konsiderueshme nga taksa doganore 100 për qind, që Qeveria e Kosovës vendosi për importet nga Serbia dhe Bosnjë e Hercegovina nëntorin e vitit të kaluar.

Që prej se është vendosur taksa, Maqedonia e Veriut ka rritur eksportin e produkteve për në Kosovë nga 5,8 në 6,9 për qind, thonë në Odën Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, duke shtuar se përfitimet do të ishin shumë më të mëdha, nëse nga ana e Maqedonisë së Veriut nuk do të mungonte infrastruktura.

Kryetari i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore, Nebi Hoxha, thotë për Radion Evropa e Lirë se trendi i rritjes së eksportit që Shkupi ka shënuar kundrejt Prishtinës është i mirë, por i pamjaftueshëm, pasi sipas tij ka edhe shumë hapësirë që duhet shfrytëzuar.

“Produktet nga Maqedonia e Veriut në tregun e Kosovës qenë të përfshira me 4.2 për qind gjatë vitit 2017. Një vit më vonë, më 2018, rritet përqindja e mallrave nga Maqedonia e Veriut në Kosovë në 5. 8 për qind, kurse këtë vit duke marrë të dhënat e vetëm nëntë muajve të parë të vitit, përkatësisht deri në tetor, eksporti i produkteve maqedonase për në Kosove arrin në 6.9 për qind”, thotë Hoxha.
Në bazë të të dhënave të odave ekonomike të vendit, kompanitë maqedonase kanë eskportuar në Kosovë prodhime ushqimore, të tilla si: miell, qumësht, vaj, sheqer, ujë etj.

Kompanitë vendore si problematike e shohin mungesën e infrastrukturës në pjesën e Maqedonisë së Veriut në drejtim të Kosovës, që të lidhen me autostradën “Arbën Xhaferi”.

“Pengesat kryesisht dihen. Pengesa kryesore për biznesin mes Kosovës dhe Maqedonisë së Veriut është infrastruktura, përkatësisht pjesa e autostradës në drejtim të Bllacës është një nga barrierat që ngadalëson qarkullimin dhe rrit koston e produkteve të Maqedonisë së Veriut drejt Kosovës. Gjithashtu, edhe problemi tjetër ka të bëjë me barrierat tarifore mes dy vendeve tona”.

“Pra ne si odë ekonomike po bëjmë maksimumin që këto barriera të hiqen dhe produktet e Maqedonisë së Veriut të jenë prezentë në tregun e Kosovës në një sasi më të madhe sepse shihet se kjo zbrazëtirë që shfaqet nga mungesa e importit të Serbisë, do të duhej në mënyrë më të mirëfilltë ta mbulojmë me produktet tona, duke pas parasysh edhe afërsinë edhe cilësinë që ne si biznese mund të ofrojmë në tregun e Kosovës”, thotë Hoxha.
Ndërkohë, nga Qeveria e Maqedonisë së Veriut theksojnë se prioritet mbetet ndërtimi i autostradës Shkup-Bllacë, e cila është e gjatë vetëm 12 kilometra, në mënyrë që Maqedonia e Veriut të lidhet me autostradën në Kosovë, “Arbën Xhaferi”.

Edhe gjatë takimit të fundit ndërmjet kryeministrit maqedonas, Zoran Zaev dhe liderit të Lëvizjes Vetëvendosje, Albin Kurti, i cili është pretendenti kryesor për postin e kryeministrit, është thënë se kanë biseduar për projektet që kanë të bëjnë me infrastrukturën. Përpos autostradës Shkup-Bllacë,Zaev dhe Kurti thuhet se kanë biseduar edhe për lidhjen rrugore ndërmjet Tetovës dhe Prizrenit si dhe zmadhimin e kapaciteteve në pikën kufitare të Jazhincës, që të lehtësohet lëvizja e mallrave ndërmjet dy shteteve.
Ndërkaq, nga Ministria e Transportit dhe Lidhjeve theksojnë se gjatë këtyre ditëve do të hapet tenderi për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë. Zëvendëskryeministri i Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani ka deklaruar javën e kaluar se vonesat për ndërtimin e kësaj autostrade kanë ndodhur për shkak se kur më herët është hapur tenderi për ndërtimin e saj, nuk ka pasur oferta cilësore.

“Nevoja për ndërtimin e autostradës Shkup -Bllacë është paraqitur atëherë kur Kosova e ka ndërtuar pjesën Prishtinë-Bllacë. Nuk ka pasur shtytje apo presion të tillë nga qytetarët dhe nga institucionet për të krijuar një segment prej 13 kilometrave, kur mungojnë 60 kilometra. Ashtu që nevoja dhe presioni për të ndërtuar këtë pjesë është prej një viti. Unë jam koordinator i këtij projekti në 18 muajt e fundit. Ajo që e kam arritur është të siguroj konstrukt financiar prej 180 milionë eurove, të bëjmë projekt preliminar ose ideor, të bëjmë projekt bazë dhe të tenderojmë. Tenderi i parë ka dështuar sepse nuk kishim oferta të mira, oferta cilësore”, ka thënë zëvendëskryeministri Bujar Osmani.

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se infrastruktura paraqet një nga shtyllat bazë për zhvillimin e ekonomisë andaj theksojnë se sektori i biznesit dhe të ushtrojë më shumë trysni ndaj qeverisë për të filluar punimet për ndërtimin e autostradës Shkup-Bllacë.

SHKARKO APP