Marko Gjuriç, përfaqësues i politikës serbe apo ruse në Kosovë
Shumë pikëpyetje janë ngritur pas deklaratës që nënshkroi në Moskë shefi i zyrës për Kosovën në qeverinë e Serbisë, dhe nënkryetari i Partisë Përparimtare Serbe,Marko Gjuriq, për krijimin e një territori neutral ushtarak në Ballkan. Një përgjigje të saktë rreth asaj deklarate nuk ka në Beograd, e aq më pak në Prishtinë.
Ndërsa, nga partia e presidentit rus, Vladimir Putin, Rusia e Bashkuar, është thënë se kjo deklaratë paraqet zotimin e nënshkruesve për një Ballkan neutral, që do të orientojë bashkëpunimin ekonomik me Federatën e vendeve Euro-aziatike.
Po ashtu, përfaqësuesi i qeverisë së Serbisë ka kërkuar ndihmën e Moskës dhe Kishës Ortodokse ruse, që pavarësisht mungesës së lejes nga institucionet e Kosovës, të procedohet tutje me ndërtimin e vendbanimit të quajtur “Lugina e Diellit”, në pjesën veriore të Kosovës, ku parashihet popullimi i saj me banorë serb, si dhe ndërtimi i një kishe ortodokse në atë zonë.
Dushan Janjiq, nga Forumi për Marrëdhënie Etnike në Beograd, thotë se me këto veprime Marko Gjuriq nuk e ka bërë të qartë se ka marrë vendime në emër të shtetit serb apo të partisë që përfaqëson.
“Kisha Ortodokse ruse është e pranishme në Kosovë përmes Kishës Ortodokse serbe. Kurse shteti, fondet ruse, përmes organizatave joqeveritare”, thekson Janjiq.
Por, këto zhvillime, sipas tij, nuk e ndryshojnë shumë imazhin e politikës ruse, marrë parasysh se edhe tani në sheshet e Mitrovicës veriore shihen fotografitë e presidentit Vladimir Putin.
Sipas tij, investimet për ndërtimin e kishave ortodokse në Kosovë mund të jenë edhe si kundërpërgjigje ndaj veprimeve të ngjashme që kishin marrë kohë më parë organizatat e ndryshme, të lidhura me fondacionet nga Arabia Saudite për ndërtimin e xhamive.
Ndërkohë, analisti dhe publicisti nga Prishtina, Belul Beqaj, thotë për Radion Evropa e Lirë se veprimet e fundit të Marko Gjuriqit, sidomos nisma për ndërtimin e kishave ortodokse, paraqet një nxitje të një gare të rrezikshme mes feve ortodokse dhe islame.
“Në situatën kur Kosova po kalon në një fazë të vështirë të përhapjes së ekstremizmit islam, çdo ngritje e kishës paraqet një garë e cila nuk është e paralajmëruar, por e cila e nxitë urrejtjen e ndërsjellë mbi baza etnike dhe posaçërisht fetare”, ka thënë Beqaj.
Më tutje, Beqaj e ka vlerësuar si anakronike këtë gazë të ndërtimit të kishave ortodokse, në një vend të dominuar nga feja myslimane.
“Rusia, në këtë aspekt, po bën një ndërhyrje të dyfishtë; në njërën anë po interesohet për zgjerimin e botëkuptimit fetar-ortodoks, dhe në anën tjetër për zgjerimin e paternalizmit të saj në botën ortodokse”, ka theksuar ai.
Rritja e ndikimit të Rusisë në Ballkan, përfshirë edhe Kosovën, sidomos veriun e saj, sipas analistit Belul Beqaj, vjen edhe si pasojë e dështimit të politikës së jashtme të Bashkimit Evropian.
Në anën tjetër, Isak Novakoviq, nga Qendra për Siguri dhe Marrëdhënie Ndërkombëtare në Beograd, vlerëson se bashkëpunimi ndërmjet kishave duhet shikuar vetëm si çështje ndër fetare.
“Vet toka në të cilën do të ndërtohet kjo lagje e re është formalisht në kuadër të zonës së kishës ortodokse serbe dhe ajo do të paraqes kërkesë për dokumentacionin e nevojshëm për ndërtimin e saj”, thotë Novakoviq. Në këtë kuptim, vijon ai, duhet parë edhe ndihmën që po i ofron kisha ortodokse ruse asaj serbe.
Projekti “Lugina e Diellit” përfshin ndërtimin e 300 shtëpive, ku mendohet të vendosen rreth 1 mijë e 500 banorë serb, aktualisht të zhvendosur në Serbi.
Sipas Dushan Janjiqit, ky është një projekt që del si rezultat i bisedimeve në Bruksel ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit, për kthimin e personave të zhvendosur. Serbia, sipas tij, ka të drejtë të kërkojë donatorë për realizimin e kthimit të serbëve në Kosovë, por fondet duhet të kalojnë apo evidentohen përmes qeverisë së Kosovës.
Kohë më parë, edhe presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, kishte deklaruar se Prishtina nuk do të lejojë kolonizimin e ri të Kosovës nga serbët, duke iu referuar pikërisht ndërtimit të projektit të lagjes “Lugina e diellit” në veri të vendit. (REL)