Masakra e Srebrenicës, Osmani: Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë

Në 26-vjetorin e masakrës së Srebrenicës, Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani thotë se aktet e tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë dhe të historisë.

“Sot dhimbjen e nënave të Srebrenicës e ndajmë bashkërisht! Mbetjet mortore të 19-të vrarëve atë kohë sot do të kenë adresën e përhershme. Një 16-vjeçar do të jetë në mesin e atyre që do të varrosen sot, 26-vjet pas vrasjes! Akte të tilla barbare duhet të marrin gjykimin e drejtësisë, por edhe të historisë”, thotë Osmani. Presidentja thekson se askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës.

“Srebrenica është kujtesa jonë e freskët dhe leksion se krimet e padënuara përbëjnë bazë që ato të përsëriten. Askush më mirë se Kosova nuk e njeh dhimbjen e Srebrenicës. Reçaku, Meja, Pokleku, Prekazi, si dhe shumë masakra të tjera në pjesë të ndryshme të Kosovës, janë pjesë e të njëjtës dhimbje e të njëjtit përjetim. Kuvendi i Republikës së Kosovës, ditë më parë miratoi Rezolutën për gjenocidin në Srebrenicë, me të cilën Kosova e dënon gjenocidin e organizuar dhe të kryer nga forcat gjenocidale të regjimit serb të Millosheviqit”, thotë ajo.

Swiss Digital Desktop Reklama
Swiss Digital Mobile Reklama

SHKARKO APP

KOHA JONË SONDAZH

Si ishte viti 2025 për ju?