Masat ndaj Kosovës, 300 milionë euro janë bllokuar nga BE-ja
Masat e Bashkimit Evropian ndaj Kosovës, të vendosura një vit më parë kanë pasur ndikim negativ në ekonominë e vendit. Kështu vlerësojnë partitë opozitare dhe njohësit e ekonomisë, ku sipas tyre rreth 300 milionë euro janë bllokuar nga BE-ja.
Derisa ngrisin shqetësime se Kosovës mund të mos i disbursohen as mjetet nga Plani i Rritjes së BE-së për Ballkanin Perëndimor.
Ndërkaq, përfaqësuesi i lartë i Bashkimit Evropian për politikë të jashtme dhe siguri, Josep Borrell, dy ditë më u ka rekomanduar shteteve anëtare që të marrin qëndrim për heqjen e masave ndaj Kosovës.
Ish-kryeministri, Avdullah Hoti thotë se për shkak të masave janë bllokuar 300 milionë euro. Kjo sipas tij i bie se janë bllokuar edhe 600 milionë euro të tjera të cilat mungojnë në qarkullimin e përditshëm ekonomik.
“Sa i përket projekteve që janë bllokuara nga masat e BE-së janë rreth 300 milionë euro… Një ekonomist me dije elementare e kupton që kur bllokohen 300 milionë euro, ato i bllokojnë edhe 300 apo 600 milionë tjera që mungojnë në qarkullimin e përditshëm ekonomik në vend, sepse kjo është edhe një nga arsyet pse ne sot kemi rritje rekord më të ulët ekonomike se sa në qeveritë e mëparshme.
Masat ndëshkuese të Bashkimit Evropian sipas deputetit të AAK-së, Pal Lekaj kanë dëmtuar Kosovën në aspektin ekonomik.
Ai thotë se BE-ja nuk duhet të sanksionojë Kosovën për shkak të një kryeministri, pasi në pyetje janë qytetarët e vendit.
Ndërkaq, kryetari i Dhomës së Tregtisë e Industrisë, Skënder Krasniqi, thotë se masat ndëshkuese ndaj Kosovës po ndikojnë në moszhvillimin ekonomik të vendit.
“Ne vitin e kaluar kemi humb qindra miliona si rezultat i masave të BE-së, por edhe këtë vit jemi duke humbur, dhe mund t’i rrezikojmë edhe këto fonde që janë të BE-së për Ballkanin dhe mundet Kosova të mos përfitojë. Një rritje e bashkëpunimit e qeverisë me bizneset dhe aleatët tonë do të ndikonte që të kemi një gjendje tjetër, qoftë në uljen e inflacionit, rritjen e punësimit, rritjen e prodhimit vendor dhe rritjen e eksportit, sepse ne kemi pas një rritje shumë të madhe të importit, ndërsa eksporti nuk ka pas rritje krahasim me atë të importit.
Në anën tjetër, deputeti nga partia në pushtet, Armend Muja thotë se në kuptim të projekteve të BE-së, mund të jenë afektuar rreth shtatë milion euro, derisa shton se këto masa të padrejta duhet të hiqen.