Masat për koronavirusin sjellin përplasje politike në Kosovë

Qeveria e Kosovës, të hënën në mbrëmje, vendosi të kufizonte lirinë e lëvizjes së qytetarëve me qëllim parandalimin e përhapjes së koronavirusit.

Por, ky vendim u cilësua antikushtetues nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, që kërkoi tërheqjen pas të vendimit. Vetë Thaci më herët kishte kërkuar masa ekstreme për të parandaluar përhapjen e pandemisë, por kjo të bëhej përmes shpalljes së gjendjes së jashtëzakonshme, çka nuk u pranua nga Kurti.

Në vendimin e mbrëmshëm të qeverisë së Kosovës thuhet se “ndalohet qarkullimi i qytetarëve dhe automjeteve private nga data 24 mars 2020 gjatë orës 10:00- 16:00 dhe prej orës 20:00- 06:00, përveç për nevoja mjekësore, prodhim, furnizim dhe shitje të mallrave esenciale, si edhe për shërbime dhe aktivitete që ndërlidhen me menaxhim të pandemisë”.

Po ashtu në vendim thuhet se “lëvizjet në rrugë bëhen jo më shumë se nga dy persona së bashku dhe gjithmonë duke mbajtur distancën dy metra me të tjerët, duke ndaluar edhe tubimet në të gjitha mjediset private dhe publike, të hapura dhe të mbyllura, përveç atyre që janë të domosdoshme për të kryer detyrat e punës për parandalimin dhe luftimin e virusit Covid-19. E në rast të vdekjeve, në varrim mund të marrin pjesë vetëm anëtarët e ngushtë të familjes së të vdekurit dhe personat që kryejnë shërbimin e varrimit”.

Por, Thaci tha në një konferencë të jashtëzakonshme pak para mesnate se ky vendim ishte antikushtetues dhe u bëri thirrje qytetarëve dhe institucioneve që të mos ta respektojnë vendimin e qeverisë. Presidenti tha se vendimin do ta dërgojë në Gjykatën Kushtetuese.

Ndërkohë, lideri i LDK, Isa Mustafa, tha se “vendimin për kufizimin e të drejtave dhe lirive të njeriut, mund ta marrin vetëm dy të tretat e deputetëve dhe jo Qeveria”. Ndryshe sipas tij, “shkelet Kushtetuta, pa marrë parasysh, kush janë ata që kanë votuar dhe në çfarë rrethana. Prandaj qeveria do duhej ta rishqyrtojë vendimin e saj dhe karshi gjendjes së krijuar t’i drejtohet Kuvendit”. Edhe drejtuesit e partive të tjera parlamentare e kanë kundërshtuar vendimin e qeverisë. E në këtë kohë përplasjesh politike, numri i të prekurve nga koronavirusi vetëm gjatë së hënës u dyfishua në Kosovë, duke shkuar në 61. Gjatë ditës sot, kryesia e kuvendit do të mblidhet për të vendosur për seancën për mocionin e LDK për mosbesim ndaj qeverisë Kurti, që tani mbështetet edhe nga partitë opozitare.

SHKARKO APP