Mbështetje ose jo për Vjosa Osmanin si Presidente, LDK mban mbledhjen e kryesisë

Lidhja Demokratike e Kosovës pritet të vendosë sot për mbështetjen ose jo të kandidaturës së Vjosa Osmanit për presidente. Deri më tani ka pasur qëndrime pozitive mes palëve për një dakordësi të mundshme. Çështja e zgjedhjes së presidentit të ri do të diskutohet në mbledhjen e kryesisë së LDK-së, e cila do të mbahet sot pasdite.

Në media është raportuar se gjatë të dielës kryetari i LDK, Lumir Abdixhiku, është takuar me Vjosa Osmanin, por një konfirmim zyrtar nuk ka pasur. Ata zhvilluan dhe një bisedë mjaft konstruktive dhe pozitive disa ditë më parë.

Lëvizja Vetëvendosje e konsideron çështje ditësh, zgjedhjen e Osmanit presidente të vendit, ndërsa refuzon në mënyrë të prerë një kompromis të mundshëm për një emër tjetër.

Për zgjedhjen e presidentit të ri duhet një kourum prej 80 deputetësh të pranishëm në sallë, një shifër të cilën Vetëvendosje mund ta sigurojë me mbështetje të LDK-së. Nëse dështon në sigurimin e tyre, Kosova mund të shkojë sërish në zgjedhje.

SHKARKO APP