Mbledhje të përbashkëta të qeverive të Kosovës e Maqedonisë
“E përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për punimet në Autostradën Prishtinë-Shkup dhe edhe ne do të bëjmë përpjekje të ndërtojmë aksin nga Bllaca deri në qarkoren e Shkupit”. Kështu tha sot zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, pas takimit me kryeministrin e Kosovës, Isa Mustafa.
Ai ndodhet në Kosovë në një vizitë zyrtare.
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa dhe zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi, biseduan rreth prioriteteve të bashkëpunimit në mes të dy vendeve, bëhet e ditur përmes një komunikate për medie.
“U pajtuam se kemi shumë fusha në të cilat duhet të intensifikojmë bashkëpunimin, siç është ajo e ekonomisë, arsimit, kulturës, ndërtimit dhe infrastrukturës, por edhe në çështjet globale, të cilat sot janë bërë shumë aktuale edhe për Kosovën, edhe për Maqedoninë, edhe për vendet tjera fqinje. Treguam interes të përbashkët për komunikim më të shpeshtë dhe më të shpejtë, dhe të ndërlidhjeve, qoftë në nivel të ministrive, qoftë në nivel të qeverive, në mënyrë që ne të përballojmë të gjitha çështjet që i konsiderojmë se janë në interes të përbashkët të dy vendeve, por edhe në interes të regjionit dhe interes evropian”, ka thënë kryeministri Mustafa, në një prononcim për media, pas takimit.
Zëvendëskryeministri i Maqedonisë, Musa Xhaferi ka falënderuar kryeministrin Mustafa për mbështetjen e projekteve që kanë qenë në vazhdimësi të bashkëpunimit mes dy vendeve.
“Ne e përgëzojmë Qeverinë e Kosovës për punimet në autostradën Prishtinë-Shkup, dhe edhe ne do të bëjmë përpjekje të ndërtojmë aksin nga Bllaca deri në qarkoren e Shkupit”, është shprehur Xhaferi, sipas të cilit kjo do të ndikojë në shtimin e qarkullimit të mallrave e të njerëzve.
“Kemi diskutuar për gatishmërinë e dyanshme për mbledhje të përbashkëta të qeverive, të cilat do të intensifikojnë, inkurajojnë ministritë përkatëse për ratifikimin, përgatitjen e marrëveshjeve që janë në favor të dy qeverive”, ka theksuar zëvendëskryeministri Xhaferi, raporton Koha Ditore.
Po ashtu, gjatë këtij takimi është theksuar edhe mundësia e shtimit të bashkëpunimit në të gjitha fushat, që janë në interes për të dy vendet.