Mblidhet sot Këshilli i Sigurimit për Kosovën, zbardhen temat e “nxehta” të diskutimit

Ditën e sotme do të mblidhet Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara i cili do të shqyrtojë raportin e rregullt gjashtëmujor të sekretarit të Përgjithshëm të OKB-së, Antonio Guterres mbi situatën në Kosovë, që i referohet periudhës nga 16 marsi deri më 15 shtator.

Kosova do të përfaqësohet në këtë takim nga presidentja Vjosa Osmani e cila udhëtoi të mërkurën për New York, ndërsa Serbia nga ministri i Punëve të Jashtme, Nikola Selakoviç.

Raporti do të prezantohet nga shefi i UNMIK -ut Zahir Tanin, i cili ditë më parë u takua me kryeministrin e Kosovës,

Albin Kurti në Prishtinë dhe presidentin serb, Aleksandër Vuçiç në Beograd. Në raportin mbi situatën në Kosovë, shefi i OKB-së përshëndeti rifillimin e dialogut Kosovë-Serbi, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian. Ai shprehu mbështetje për pjesëmarrjen e plotë të autoriteteve kosovare dhe serbe në aktivitetet e Grupit të Punës për Personat e Zhdukur.

Raporti flet dhe për rastin ndaj Ivan Todosijeviçit, i cili u dënua me dy vjet burgim për “nxitje të urrejtjes kombëtare, racore, fetare ose etnike” për deklarata mbi “Masakrën e Reçakut”.

Këshilli i Sigurimit të OKB –së për Kosovën u mblodh për herë të fundit në prill të këtij viti online, për shkak të pandemisë së COVID-19.

SHKARKO APP