Me 16 plumba në trup/ Rrëfimi prekës i deputetes: Si serbët masakruan familjen time. Fatkeqësisht LDK…

Sara Bogujevcki nuk është thjesht deputete e Kosovës, ajo është e mbijetuar me 16 plumba në trup si pasojë e një masakre serbe ku humbi nënën, dy vëllezërit, gjyshen dhe të afërm të tjerë.

Masakra në fjalë ka ndodhur në Podujevë, në 28 mars 1999.

“Në atë ditë, në atë oborr unë humba nënën time Salën, gjyshe Shehiden, vëllezërit e mi, Shpendin dhe Shpëtimin,  gruan e xhaxhait Shefkaten, vajzën e xhaxhait Norën që e kisha si motër binjake, hallën e babait Nefisen dhe nusen e saj Fezdrijen, Enver Duriqi humbi të gjithë familjen, prindërit Hamdinë dhe Esmanë, gruan Fitneten dhe katër fëmijët e tij Albionin, Dafinën, Mimozën dhe Arbrin që ishte vetëm dy vjeçar.

Në atë oborr kishte vetëm gra dhe fëmijë. Mbijetova vetëm unë dhe katër kushërinjtë e mi: Fatosi, Jehona, Liria dhe Genci. Të gjithë ishim të plagosur rëndë. Unë mora 16 plumba në dorë, në këmbë dhe në shpinë.

Ishte shumë e vështirë të kthehemi në shtëpi pas luftës. Të kthehemi në shtëpi të zbrazët, e cila dikur ishte e mbushur me njerëz, lumturi, qeshje. Kam menduar se nuk do të qesh më kurrë. Isha shumë e re për të mos e parë të ardhmen. Asgjë nuk kishte më kuptim. Isha me fat që babai ishte gjallë. Dhe të gjithë të afërmit e mi. Më pas edhe njerka ime Afërdita, të cilët bënë gjithçka për të na siguruar një të jetë më të mirë.

Për shkak të lëndimeve nuk mund të haja, të vishesha apo të lahesha. Nuk i kisha gjërat themelore të pavarësisë njerëzore.  Një mendim më përsëritej gjithmonë në kokë: pse duhet të vazhdoj të jetoj? Jehona pati thënë: ne kemi mbijetuar për të treguar historinë tonë”.

Ky është rrëfimi emocionues i deputetes, e cila ishte në një lidhje direkte nga Prishtina për gazetaren Beti Njuma në RTV Ora.

Lidhur me deklaratën e zv.kryeministrit të Kosovës, Driton Selmanaj, i cili lidhur me votimin e një rezolute të kërkuar nga Kuvendi i Kosovës ku të dënohen krimet dhe masakrat serbe mbi shqiptarët në Kosovë, do të përgjigjej se “ne jemi lodhur nga qëndrime të tilla”, Saranda Bogujevcki do të shprehej:

“Është tepër me rëndësi për ne që kemi detyra të caktuara në institucionet e Kosovës, qoftë parlamenti, qoftë qeveri, qoftë institucione lokale që të jemi të kujdesshëm në mënyrën si i trajtojmë çështjet që kanë të bëjnë me luftën e fundit në Kosovë e sidomos të kemi kujdes për atë që e themi, që bëjmë dhe ndikimin që kanë te familjarët dhe tek ata që kanë shpëtuar”.

Më 28 mars 1999, në Podujevë, një njësi policore serbe e quajtur “Scorpion”, e njëjta që kreu edhe masakrën e Srebrenicës, kreu edhe masakrën ndaj familjes së deputetes Bogujevcki.

“Kjo është vetëm një histori e familjes sime. Kemi shumë e shumë familje të tjera në Kosovë që kanë përjetuar një tmerr të tillë. Ne jemi munduar si familje, që përmes historisë sonë, të ngremë zërin, të flasim për atë çfarë ka ndodhur, por edhe të luftojmë për drejtësi. Me shpresën se, përmes historisë sonë, ti tregojmë edhe familjeve të tjera në Kosovë, por edhe ti tregojmë botës çfarë ka ndodhur”, shprehet Bogujevcki për RTV Ora.

Parlamenti i Kosovës po dështon të votojë rezolutën për të zhdukurit e luftës.

Bogujevcki: “Fatkeqësisht kjo nuk ka gjet përkrahje prej një subjekti politik, në këtë rast LDK. Ndërsa pjesa tjetër dhe deputetë të opozitës e kanë përkrahur rezolutën. Mendoj se kjo çështje shkon përtej rezolutës. Ne e kemi shumë të rëndësishme, dhe këto janë edhe pikat e rezolutës, që kjo të trajtohet me dinjitet, të trajtohet drejt”.

Me 16 plumba në trup/ Rrëfimi prekës i deputetes: Si serbët masakruan familjen time

SHKARKO APP