“Më 8 Mars marshojmë, s’festojmë”, dita ndërkombëtare e grave do pritet me protesta në Kosovë

Me moton “Marshojmë kundër patriarkatit që vret”, 8 Marsin, gratë e Kosovës do ta përdorin për protestë dhe për të denoncuar dhunën me baza gjinore.

Shumë gra në Kosovë pritet të marshojnë për më shumë të drejta, jo ta festojnë 8 Marsin.

Aktivistë të shoqërisë civile u organizuan në prag të Ditës Ndërkombëtare të Grave, për të tërhequr vëmendjen e institucioneve te rreziqet që ato hasin.

Tërshani: Shumë herë ne shohim që edhe kur gratë dhe vajzat janë viktima të bashkëshortëve ose familjarëve të tjerë, kur ato vdesin prej dorës së bashkëshortit kanë qenë shumë herë raste kur ato e kanë lajmëruar dhunën disa herë në institucione por nuk kanë gjetë mbështetje.

Adelina Tërshani tha se motoja e protestës së tyre këtë vit është “Marshojmë kundër patriarkatit që vret”.

Tërshani: Këto raste duhet me u trajtua me prioritet dhe seriozitet përndryshe kemi me vazhdua me protestu, kemi me vazhdu me i kërku të drejtat bazike të grave, qoftë ekonomike, qoftë politike.

Sipas statistikave të policisë së Kosovës, nga janari deri në shtator të vitit të kaluar, vendi regjistroi mbi 1.200 raste të dhunës në familje ndaj grave.

Pandemia në muajt e fundit mësohet se e ka përkeqësuar situatën kudo, pasi familjet dhe çiftet duke kaluar më shumë kohë së bashku, përjetojnë edhe më shumë grindje, zemërata e dhunë.

Lëvizjes “Marshojmë, s’festojmë” të hënën pritet t’i bashkohen përveç Prishtinës edhe studentë e qytetarë nga 15 komuna të tjera të Kosovës, të cilët nën masat e Covid-19 do të shpalosin mbishkrime me thirrje konkrete për institucionet.

SHKARKO APP