Mediat në Kosovë: Arrihet marrëveshja për demarkacionin me Malin e Zi

Vizita e Kryeministrit të Malit të Zi në Kosove duket se ka dhënë frytet, pasi dy palët kanë arritur marrëveshje për demarkacionin.

Vizita e Kryeministrit të Malit të Zi Dushko Markovic në Prishtinë përfundimisht pritet ta zgjidhë çështjen e demarkacionit, e cila po e mban të bllokuar Kosovën prej tre vitesh.

Gazeta Express njofton nga burimet e saj se Markovic gjatë takimeve në Prishtinë me liderët kosovarë ka gjetur gjuhë të përbashkët për çështjen e kufirit dhe se kjo temë do të marrë epilog të shpejtë.

Një burim i besueshëm i ka thënë Gazetës Express se Prishtina dhe Podgorica kanë rënë dakord që në ditët në vijim të kenë një komunikim intensiv që do ta prodhojë zgjidhjen.

“Dy delegacionet e larta janë dakorduar që të ketë një komunikim intensiv ditëve të ardhshme në të gjitha nivelet dhe të shihet se ku mund të jenë bërë gabimet. Pastaj do t’i hapet rrugë ratifikimit me një procedurë të shpejtë. E gjitha do të kryhet gjatë muajit shkurt”, ka thënë një zyrtar i lartë për Gazetën Express.

Gjatë takimeve me udhëheqësit kosovarë Markoviq ka lënë të kuptohet se vendi i tij do të angazhohet që të gjendet një zgjidhje në mënyrë që Kosova ta ratifikojë marrëveshjen.

SHKARKO APP