Mediat: PDK merr 8 ministri, LDK 7 dhe 4 minoritetet

Kjo është skema e ndarjes së pushtetit qeveritar, sipas mediave kosovare, duke publikuar edhe emrat e mundshëm të ministrave.

Konkretisht, citohet se përveç Kryeministrisë, LDK do të marrë edhe Ministrinë e Financave dhe atë të Shëndetësisë. Kurse PDK, do ta mbajë edhe më tutje Ministrinë e Arsimit dhe atë të Punëve të Brendshme.

I njëjti burim ka saktësuar se Avdullah Hoti, Nënkryetari i dikurshëm i Komunës së Prishtinës, do të emërohet Ministër i Financave nga LDK, kurse Nënkryetarja aktuale e LDK-së, Teuta Sahatçiu shkon në Ministrinë e Shëndetësisë.

“Nga PDK dihet që Ministër i ri do të jetë Bekim Çollaku, deri tash Shef i Stafit të Kryeministrit, por edhe ministër i Integrimeve”, ka thënë burimi i gazetës Express.

Post ministror thuhet se do të marrin edhe Skënder Hyseni i LDK-së, Bajram Geci, po ashtu edhe Arben Gashi.

Kurse për minoritetet thuhet se do të mbajnë ministrinë e Kthimit dhe atë të Mirëqenies Sociale.

“Ministria e Pushtetit Lokal ka mundësi që t’u jepet partnerëve nga minoritete jo-serbe”, tha burimi i gazetës.

Për ministrinë e Bujqësisë përmendet Margarita Kadriu, nënkryetarja aktuale e PDK-së.

Kurse Blerand Stavileci dhe Memli Krasnqi, thuhet se sipas gjitha gjasave, do të jenë në “vijën e parë të frontit”, në Parlament.

Duke përfunduar me skenarin se Thaçi mbetet në Parlament, me shpresën se pas dy vitesh shkon në Presidencë dhe se në qeveri, do mbeten dy prej njerëzve të afërt të tij, Hajredin Kuçi e Enver Hoxhaj.

 

SHKARKO APP