Mediat serbe: Thaçi dhe Haradinaj të shkojnë në Hagë
Mediat serbe kanë zgjedhur që në botimet e shtypit të shkruar, në fokus të kenë politikanët kosovarë, konkretisht presidentin Hashim Thaçi dhe deputetin, Daut Haradinaj.
Mediat në Serbi në faqet e para të gazetave të ditës së hënë kanë publikuar tituj me gjuhë të urrejtjes. Në botimin e ri, ‘Vecernje novosti’ shkruan “Kontrabanda përmes Serbisë financohet nga terroristët”. Shkrim ky referuar vendosjes së taksës 100 për qind nga ana e Kosovës ndaj mallrave serbe dhe hyrjes së tyre nëpër rrugë ilegale, shkruan Lajmi.net.
Gjithashtu gazeta ‘Blic’ është marrë me presidentin e vendit, Hashim Thaçi dhe deputetin e Kuvendit të Kosovës, nga radhët e AAK-së, Daut Haradinaj duke iu referuar si vëllai i kryeministrit.
Kjo media e përditshme hapet me kryeartikullin “Daut Haradinaj dhe Thaçi duhet të shkojnë në Hagë”. Nuk është hera e parë, që mediat serbe përdorin një gjuhë agresive ndaj politikanëve shqiptarë në Kosovë, por një gjë të tillë e kanë bërë edhe më parë.