Merovci i bën thirrje LDK-së: Ta marrim presidentin, kryeparlamentari t’i mbetet VV-së
Anëtari i Këshillit Përgjithshëm të LDK-së, Adnan Merovci i ka bërë thirrje partisë së tij që të bëjnë kompromisin e duhur për të arritur deri tek një marrëveshje bashkëqeverisje me Lëvizjen Vetëvendosje. Merovci thotë se kryeministri dhe kryeparlamentari të merren si të mirëqena dhe t’i takojnë partisë fituese të 6 tetorit. Derisa LDK të merr presidentin si dhe të ketë lëvizje tek ndarja e ministrive.
Mandatimi i sotëm për kryeministër i Albin Kurtit ka bërë që të rrjedh afati Kushtetues prej 15 ditësh për formim të Qeverisë. Por pavarësisht këtij limiti kohor, Merovci për KosovaPress, thotë se ende ka kohë për të arritur një zgjidhje për koalicionin qeverisës.
Por për të arritur deri tek koalicioni qeverisës, Merovci thotë se posti i presidentit nuk duhet të diskutohet më, kurse, Vetëvendosja në formën bllanko duhet të votojë propozimin e LDK-së.
Merovci kërkoi nga liderët e dy partive që të rifillojnë takimet për të arritur deri te formimi i qeverisë.
Anëtari i Këshillit të Përgjithshëm të LDK-së mes tjerash, thotë se qeveria e pakicës nuk është një zgjidhje për Kosovën.
Mëngjesin e sotëm, partia fituese e zgjedhjeve të 6 tetorit, Lëvizja Vetëvendosje, ka dërguar mandatarin për kryeministër tek presidenti, Hashim Thaçi i cili më pas e dekretoi atë./KosovaPress/