Meta takon Veselin: Kosova dhe Shqipëria me një synim të përbashkët

Kryetari i Kuvendit të Kosovës, Kadri Veseli, vizitën e tij në Shqipëri e ka nisur me takimin me Presidentin Ilir Meta.  “Kënaqësi që u takova me Kadri Veselin . Qytetarët e Kosovës meritojnë liberalizimin e vizave. Mbështetje për fazën finale të dialogut Kosovë-Serbi: Kosova në OKB”,- shkruan kreu i shtetit në një mesazh në Twitter për takimin.

Ndërkohë, në njoftimin e Kuvendit të Kosovës thuhet se Veseli dhe Meta kanë biseduar për thellimin e bashkëpunimit mes Kosovës dhe Shqipërisë. Kreu i Kuvendit të Kosovës ka theksuar rolin krucial të Shqipërisë si në fazën e luftës dhe të shtetkrijimit, ku ka përmendur edhe pritjen e Kosovës nga BE për liberalizim vizash.

“Veseli tha se Kosova dhe Shqipëria tashmë e kanë të qartë aspiratën dhe rrugën të cilën duhet ndjekur për të arritur synimin e përbashkët – integrimin euroatlantik”, thuhet në njoftim.

Zyrat e Shtypit të Kuvendit të Kosovës, njofton se Presidenti Ilir Meta, ka përgëzuar kryeparlamentarin Veseli për vendimet e kohëve të fundit të Kuvendit të Kosovës, të cilat, sipas tij, i kanë hapur mundësi të reja shtetit të Kosovës në raport me Bashkimin Evropian. “Meta tha se Shqipëria vazhdon të mbetet në krah të Kosovës në të gjitha sfidat që ajo ka para vetes dhe se i gëzohet çdo arritjeje të saj, si në planin e brendshëm, ashtu edhe në rrafshin ndërkombëtar”.

SHKARKO APP