Miftaraj: Shqipëria ka provuar gadishmërinë ndaj Kosovës, nuk ka nevojë për rezolutë

Ehat Miftaraj, Drejtori Ekzekutiv në Institutin e Kosovës për Drejtësi për Ora News ka thënë se firmosja e një rezolute nga Kuvendi i Shqipërisë për gjenocidin serb është një retorike.

Sipas Miftarajt, Shqipëria e ka vërtetuar gadishmërinë e saj ndaj Kosovës në luftën e vitit ’99, ndërkohë që ka bërë thirrje që dy vendet të kenë politika në të mirë të interesave të të dyjave.

Miftaraj: Është për të ardhur keq që politika në Shqipëri ka rënë pre e politikave që janë transportuar nga Kosova. Për sa kohë që Kosova është një shtet i ri, me një jetëgjatësi vetëm 12 vjeçare pa një traditë qoftë në aspektin politik, qoftë në aspektin regjional apo diplomatik, besoj se liderët institucionalë dhe politikë në Shqipëri duhet të ishin më të matur dhe të mos bien pre në lojërat shkurtëpamëse nga Kosova.

Për Kosovën Shqipëria e ka dhënë provimin e saj dhe e ka provuar me atë që ka bërë në vitin ’98-99, me rastin e pranimit të miliona refugjatëve kosovarë. Ndihma e parë rezervë për Kosovën, duke e konsideruar gjithmonë si një komb vëlla. Kështu që unë besoj se rezoluta nga Kuvendi i Shqipërisë përsa i përket gjenocidit serb për luftën në Kosovë, është një retorikë boshe që nuk prodhon thuajse asgjë, qoftë në aspektin politik brenda dy shteteve, qoftë në aspektin diplomatik për ndërkombëtarët.

Shqipëria dhe Kosova, politikanët duhet ta dinë, që rezultat i gjenocidit serb në Kosovë, kemi pasur një ndërhyrje ndërkombëtare nga NATO dhe sot kemi një shtet të quajtur Republika e Kosovës, që në shkurt të vitit të ardhshëm feston 13 vjetorin e saj. Shqipëria dhe Kosova në aspektin e promovimit të interesave shqiptare jo vetëm në dy shtete, por edhe në Ballkan, duhet të kishin politika që lidhen me to.

SHKARKO APP