Mini-Shengeni, Rama shkeli marrëveshjen e Partneritetit Strategjik me Kosovën
Gjashtë vite më parë, 12 janar 2013, qeveria e kryeministrit Edi Rama dhe qeveria e Hashim Thaçit nënshkruan dokumentin e Partneritetit Strategjik mes dy vendeve. Ky është dokumenti i parë mes dy vendeve që piketoi fushat kryesore ku do të mbështeten marrëdhëniet dhe bashkëpunimi Shqipëri-Kosovë. Dokumenti është i ndarë në disa kapituj dhe vend të veçantë zë bashkëpunimi në nismat rajonale dhe sigurinë e dy vendeve.
Në lidhje me debatin për “Mini-Shengenin”, ka disa pika të këtij dokumenti që rezultojnë se janë shkelur nga qeveria e Shqipërisë. Konkretisht në hyrje të dokumentit të cilin kanë firmosur kryeministrat thuhet: “Duke konfirmuar angazhimin për; Forcimin e bashkëpunimit dhe intensifikimin e dialogut ndërqeveritar për të gjitha çështjet me interes të ndërsjelltë, bashkërendimin e aksionit të përbashkët politik dhe diplomatik, për angazhimin aktiv të Republikës së Kosovës në të gjitha proceset dhe iniciativat rajonale, si dhe koordinimin dhe asistencën për përshpejtimin e proceseve integruese europiane dhe euroatlanike…”, thuhet në dokumentin e firmosur në 12 janar 2014.
Pika kryesore e marrëveshjes është koordinimi dhe mbështetja e Tiranës për të rritur përfaqësimin e Kosovës në arenën ndërkombëtare, me qëllimin final shtimin e numrit të njohjeve të pavarësisë.
Marrëveshja e “Mini-Shengenit” e iniciuar nga presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç dhe nga kryeministri Edi Rama, mund të cilësohet si një shkelje e këtij dokumenti. Konkretisht, me zhvillimin disa samiteve Serbi-Shqipëri-Mqedoni e Veriut, dhe daljen kundër qëndrimit të Kosovës, qeveria “Rama” ka shkelur dokumentin që ka firmosur me kryeministrin e Kosovës.
Në dokument thuhet se qeveria e Shqipërisë do të mbështesë në nismat rajonale Kosovën dhe përfaqësimin e saj. Nëse i referohemi historisë së “Mini-Shengenit”, qeveria “Rama” ka bërë të kundërtën, ka pamundësuar praninë e Kosovës dhe ka neglizhuar rolin e saj në rajon.
Partneriteti Strategjik dokumenti më i rëndësishëm politik dhe diplomatik që mund të nënshkruajnë dy vende. Ish-ministri Ditmir Bushati, në një publikim në Facbook duke përkujtuar përvjetorin e kësaj marrëveshje ka kërkuar dhe bërjen e bilancit, se çfarë kanë arritur dy shtetet në 6 vite.
FOTO/Teksti i Dokumentit të Partneritetit Strategjik Shqipëri-Kosovë, firmosur nga Edi Rama dhe Hashim Thaçi