“Ministër Shteti për bashkëpunimin me Kosovën”
Kryeministri Edi Rama deklaroi sot se ka ardhur momenti që Shqipëria dhe Kosova të kenë nga një ministër Shteti që të merret posaçërisht me bashkëpunimin mes dy vendeve.
I pyetur nëse do të takohet me Albin Kurtin, Rama tha se, “në dijeninë timë do të takohemi në ditët në vijim. Ka kërkuar të më takojë. E pres me shumë kënaqësi. E kam ndjekur në prononcimet e tij. Bie dakord me të që ka një nevojë për një shtysë në raport me marrëdhënien mes dy qeverive dhe në raport me marrëveshjet e bëra. Mendoj se duhet të shkojmë përtej marrëveshjeve të bëra. Dhe shpresoj që me qeverinë e re të mund të plotësojmë boshllëqet që u krijuan me qeverinë e mëparshme. E cila faktikisht në ëktë fushë nuk arriti të bëjë shumë”.
‘Kam dhe disa propozime të tjera për të. Besoj që për ta shtyrë këtë bashkëpunim më thellë është momenti për të konsideruar vendosjen e një ministri Shteti në të dy anët. Ministër shteti për bashkëpunimin me Kosovën nga Shqipëria dhe për bashkëpunimin me Shqipërinë nga Kosova. Dhe për të pasur një pikë referimi institucional që merret çdo ditë me procesin e bashkëpunimit me ndjekjen e marrëveshjeve dhe me gjithçka mendoj se duhet bërë më tutje dhe ka shumë për të bërë”, tha Rama.
“Natyrisht që me shumë kënaqësi do të dëgjoj dhe idetë e freskëta të Albinit dhe shpresoj dhe besoj që do marrë përgjegjësi dhe do kalojë nga poezia e opozitës në prozën e qeverisjes”, u shpreh Rama.