Ministri akuzohet se ka keqtrajtuar qytetarët në 1999, çfarë vendimi merr Haradinaj

Kryeministri i Kosovës, Ramush Haradinaj nuk do të shkarkojë ministrin e Bujqësisë, Nenad Rikalon, pavarësisht denoncimeve të disa qytetarëve. Ai ka marrë këtë vendim, pasi prokuroria, AKI-ja dhe Policia e Kosovës nuk i kanë dhënë fakte se Rikalo mund të ketë qenë i përfshirë në raste të keqtrajtimit të qytetarëve të Kosovës.

“I kemi marrë me shqetësim reagimet e disa qytetarëve në lidhje me mundësinë e përfshirjes së një anëtari të kabinetit, ministrit Nenad Rikalo, në, siç pretendohet, keqtrajtimin e qytetarëve të Prishtinës gjatë periudhës së vitit 1999.

Menjëherë pas kësaj, përmes kanaleve zyrtare dhe me shkrim, kam kërkuar informata nga Prokuroria e Shtetit, AKI dhe Policia e Kosovës lidhur me pretendimet e qytetarëve për përfshirjen e tij në aktivitetet e përmendura më sipër.

Nga përgjigjet që kam marrë, në rrugë zyrtare, nga këto tri institucione të shtetit, nuk ka asnjë të dhënë se ai ka qenë i përfshirë në veprimet e tilla.

Si kryeministër i vendit, dua të siguroj qytetarët e Kosovës, se jo vetëm në këtë rast por edhe në çfarëdo situate të ngjashme, do të veproj sipas ligjit dhe përgjegjësive që kam”, sqaron Haradinaj.

 

 

SHKARKO APP