Ministri gjerman: Kosova, kushti i Serbisë për të hyrë në BE
Ministri i Shtetit për Evropë i Gjermanisë, Michael Roth, ka thënë se Serbia duhet të deklarohet në përputhje me qëndrimet e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, dhe se nuk ka pozicion neutral të shtetit që dëshiron të hyjë në BE.
“Për Serbinë në rend të parë është BE-ja dhe shtetet anëtare kur flitet për tregti, investime dhe bashkëpunim politik. Veç kësaj, Serbia zhvillon marrëdhënie edhe me vende të tjera dhe askush nuk kërkon që ajo t’i ndërpresë ato. Edhe Gjermania përpiqet të ketë marrëdhënie solide dhe bashkëpunon me Rusinë e Kinën”, ka thënë Roth.
Megjithëkëtë, Serbia dëshiron të anëtarësohet, që do të thotë se ajo duhet të deklarohet në përputhje me qëndrimet e politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian – këtu nuk mund të ketë “pozicion neutral”, ka thënë Roth për gazetën beogradase Veçernje Novosti.
Roth ka theksuar se është i domosdoshëm kompensimi i ngecjes në normalizimin e marrëdhënieve Beograd-Prishtinë.
“Para anëtarësimit të Serbisë në BE është i domosdoshëm normalizimi i marrëdhënieve të Serbisë e Kosovës me anë të një marrëveshjeje juridike detyruese, pasi ne nuk duam ‘të importojmë’ konflikte bilaterale në BE”, ka theksuar Roth.