Ministri Hoxhaj: Tre shtete të tjera pritet të njohin Kosovën

PRISHTINE – Ministri kosovar i Punëve të Jashtme, Enver Hoxhaj, informoi të premten se brenda këtij viti pavarësia e Kosovës do të njihet nga tre shtete.

Sipas njoftimit, konfirmimin për këtë ministri Hoxhaj e ka marrë gjatë takimeve që ka zhvilluar në New York, ku mori pjesë në punimet e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, ku zhvilloi më shumë se 70 takime me përfaqësues të shteteve të ndryshme.

“Qëllimi ynë i parë në Asamblenë e Përgjithshme ishte sesi të ecim më tutje me njohjet ndërkombëtare të pavarësisë së Kosovës dhe kemi takuar përfaqësues të 30 shteteve jo njohëse dhe prej tyre kemi marrë qëndrime pozitive se do ta njohin Kosovën. Kështu që mund t’ju them se deri në fund të këtij viti do të jenë tre vende që do ta njohin pavarësinë e Kosovës dhe disa nga këto vende do të kenë peshë të veçantë me njohjet që do t’i shpallim javëve apo muajve në vijim”, – tha ministri Hoxhaj në konferencën për shtyp.

Hoxhaj theksoi se qëllimi i dytë gjatë pjesëmarrjes në punimet e asamblesë ka qenë zyrtarizimi i raporteve ndërshtetërore me disa nga shtetet që tashmë e kanë njohur Kosovën, me qëllim avancimin e raporteve bilaterale.

“Fokusi i tretë është sigurimi i votave për Kosovën nëse ne aplikojmë në organizata të ndryshme ndërkombëtare dhe në këtë drejtim ne kemi arritur që të takojmë ministra të jashtëm të Emirateve, Ganës, Tajlandës, Tanzanisë, Egjiptit, Grenadës dhe të shteteve të tjera, prej të cilëve kemi marrë premtimet se nëse Kosova aplikon në ndonjë organizatë ndërkombëtare, në ndonjë agjenci të Kombeve të Bashkuara apo në ndonjë mekanizëm multilateral këto vende do ta mbështesin Kosovën që të anëtarësohet në to”, tha Hoxhaj.

Fokusi i radhës, siç ka thënë ministri është Hoxhaj, gjatë takimeve në New York ka qenë procesi i liberalizimit të vizave për qytetarët e Kosovës./KPress/

SHKARKO APP