Ministri i Kosovës, Pal Lekaj: Nuk pajtohemi me taksën në “Rrugën e Kombit”,

Ministri i Infrastrukturës i Kosovës, Pal Lekaj, gjatë ditës së sotme ka pritur në takim ambasadorin e Shqipërisë në Kosovë, Qemal Minxhozi, me të cilin kanë diskutuar për taksën në “Rrugën e Kombit”.

Lekaj ka ritheksuar se taksa është e lartë dhe se institucionet kosovare nuk pajtohen me këtë çmim.

“Në takim me ambasadorin Qemal Minxhozi diskutuam zhvillimet e fundit në dy vendet tona, me theks të veçantë për çështjen e taksës rrugore për të cilën e ritheksova papajtueshmërinë tonë me çmimin dhe mënyrën se si është marrë ky vendim për njërën nga arteriet kryesore të lidhjes ndërshqiptare, që është “Rruga e Kombit”.

Po ashtu e diskutuam edhe letrën zyrtare me të cilën i jemi drejtuar Ministrit të Infrastrukturës dhe Energjetikës, z. Damian Gjiknuri dhe për mungesën e përgjigjes në këtë letër.

Ishte dakordim i dyanshëm që hapat e mëtutjeshëm të bëhen me dakordancë të plotë.

Shqipërisë dhe Kosovës si dy vende vëllazërore ju duhen marrëdhënie me influencë pozitive për zhvillimin e gjithëmbarshëm”, shkruan ai pas takimit.

SHKARKO APP