Ministri kroat i Mbrojtjes vizitën e parë e bën në Kosovë
Vizitën e parë zyrtare jashtë Republikës së Kroacisë, ministri i ri i Mbrojtjes në Qeverinë kroate, sot e bëri në Prishtinë. Josip Buleviq u prit me ceremoni ushtarake në Ministrinë për Forcën e Sigurisë së Kosovës.
Ministri Buljeviq tha se kjo vizitë e tij e parë jashtë shtetit, tregon për rëndësinë që ka FSK për Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë, të cilën ai e udhëheq. Buleviq pas takimit me ministrin e FSK-së Haki Demolli tha se Kroacia do të vazhdojë ta përkrahë Kosovën në të gjitha proceset dhe në integrimin e saj euroatlantik. Ndërsa tha se do të punojnë që raportet miqësore që kanë me Kosovën, t’i sjellin në nivel vëllazëror.
“Prej se jam vënë në detyrë të ministrit të Mbrojtjes, kjo është vizita ime e parë në një vend tjetër. Dhe kjo tregon shumë se çfarë rëndësie ka Ministria e FSK-së për Ministrinë e Mbrojtjes së Kroacisë. Ambicia jonë është që edhe më tutje t’i fuqizojmë raportet tona. Do të japim përkrahjen sa më të madhe në të gjitha proceset dhe në integrimin euroatlantik. Së bashku ne të promovojmë idenë e demokracisë, stabilitetit dhe paqes. Do të ofrojmë përkrahjen tonë për Kosovën, në të gjitha përpjekjet ndërkombëtare. Do të vazhdojmë me bashkëpunimin tonë në shkollimin e personelit tuaj. Dhe me të vërtetë do të punojmë që raportet tona miqësore që i kemi t’i sjellim në nivel vëllazëror”, tha ai.
Ndërsa i pyetur se si e sheh ai Forcën e Sigurisë së Kosovës dhe rrugën e saj drejt transformimit në Ushtri të Kosovës, Buleviq tha se nuk do të mungojë përkrahja e vendit të tij as në këtë aspekt. Ai tha se Kroacia dëshiron që sa më shpejt të bëhet ky transformim.
“Shpesh kam qenë në Kosovë dhe sa herë që vij mund të shoh përmirësime dhe avancime në të gjitha sferat jetësore. Po ashtu mund të shoh se është bërë avancim i mirë në FSK. Ajo se çfarë mund të them në emër të shtetit tim, është që ne vërtet dëshirojmë që transformimi të ndodhë sa më shpejt. Mendoj që forcat e Kosovës janë kualitative… Ne mendojmë që sa më shpejt të ndodhë transformimi aq më mirë. Dhe me të vërtetë jemi të gatshëm të ofrojmë mbështetje në këtë aspekt”, tha Buleviq.
Nga ana tjetër, ministri i FSK-së, Haki Demolli, tha se vizita e ministrit Buleviq tregon për bashkëpunimin që FSK ka me Ministrinë e Mbrojtës së Kroacisë. Ky bashkëpunim, shtoi ai, në të ardhmen do të thellohet. Demolli po ashtu tha se Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë e ka përkrahur dhe është duke e përkrahur me të madhe arsimimin dhe shkollimin e kuadrove ushtarake të Kosovës. Ai shtoi se Kroacia vazhdon ta përkrahë Kosovën po aq sa Shqipëria, duke i konsideruar që të dyja këto vende miqësore e vëllazërore.
Ministria e Mbrojtjes së Kroacisë, është duke e dhënë një kontribut të madh në shkollimin dhe arsimimin e kuadrove tona, qofshin te kadetëve, po ashtu dhe oficerëve. Mirëpo jo vetëm kaq, ne biseduam edhe për shkëmbimin e përvojave, sepse gjatë viteve të mëparshme, e sidomos gjatë vitit 2015, kemi pasur aktivitete të shumta në këmbimin e përvojave mes dy ministrive. Kur jemi te bashkëpunimi ndërkombëtar, mund të themi se ne si Ministri në vazhdimësi kemi pasur përkrahjen e Republikës së Kroacisë, për anëtarësimin tonë në iniciativat regjionale të sigurisë. Dhe lirisht mund të themi se përkrahja e Republikës së Kroacisë, ka qenë e njëjtë me përkrahjen të cilën na ka ofruar Republika e Shqipërisë. Pra do të thotë se i konsiderojmë dy vende miqësore, dy vende vëllazërore”, tha ai.
Ndërsa sa i përket transformimit të FSK-së në Ushtri të Kosovës, Demolli tha se janë kryer të gjitha veprimet e nevojshme për fillimin e procesit të transformimit, sa i përket ndryshimeve kushtetuese. Ndërsa theksoi se në momentin kur të krijohen kushtet politike, që të procedohen amendamentet për ndryshime, janë të gatshëm për fillimin e këtij procesi.