Ministrja Dhurata Hoxha flet për shtyrjen e liberalizimit të vizave për Kosovën

Ministrja e Integrimeve Evropiane në Qeverinë e Kosovës ka deklaruar se nëse nuk sigurohet shumica e votave të nevojshme pro liberalizimit të vizave në Këshillin e Ministrave të BE-së, atëherë votimi i paraparë në fillim të dhjetorit të këtij viti mund të shtyhet derisa të sigurohet qëndrimi pozitiv i shumicës.

“Nëse nuk ka shumicë gjatë votimit për liberalizimin e vizave te Këshilli i Ministrave vendimi për votim shtyhet derisa nuk merret qëndrimi pozitiv i shumicës së anëtarëve të Këshillit të Ministrave. Procedurat nuk kthehen prapa dhe konsideroj se shembulli i kthimit në proces deri më tani nuk ka ngjarë, as në rastin tonë nuk do të ngjajë”, ka thënë Hoxha për gazetën “Zëri” në Kosovë.

Ajo po ashtu ka thënë se po punohet me shtetet skeptike për liberalizim si: Gjermania, Holanda e Franca me qëllim që të sigurohet edhe përkrahja e tyre.

“Kemi punuar dhe vazhdojmë të punojmë me vendet mike, duke marrë parasysh edhe procesin e brendshëm politik në këto vende mike. Çështja e liberalizimit të vizave nuk është e lidhur me situatën në Kosovë, por me fushatat politike të brendshme në këto vende. Dihet se ka debate të brendshme politike pro dhe kundër emigrimit, me ndikime në zgjedhjet e brendshme, fuqizimin e të djathtës me debatet populliste të drejtuara për opinionin e brendshëm në këto vende mike. Po punojmë intensivisht që të sigurohet përkrahja e këtyre shteteve”, ka thënë tutje Hoxha.

Ministrja e Integrimeve Evropiane ka bërë të ditur që në muajin dhjetor 2018 pritet që Këshilli i Ministrave ta trajtojë çështjen e liberalizimit të vizave për Kosovën.

“Jemi në një situatë kur nuk mund të flasim për data, sepse nuk varet nga ne dhe e gjitha tani është në duart e shteteve anëtare. Ne i kemi përmbushur kriteret, i kemi bërë detyrat tona, tani i mbetet BE-së ta përmbushë pjesën e vet. Këshilli i Ministrave mban mbledhjen sipas agjendës, sipas të gjitha gjasave në muajin dhjetor, këtu pritet shqyrtimi dhe marrja e vendimit për liberalizimin e vizave për qytetarët tanë”, ka thënë ajo./ZERI

SHKARKO APP