Miroslav Lajçak, i dërguari special i BE për bisedimet Kosovë – Serbi
Miroslav Lajçak pritet të emërohet i dërguari special i Bashkimit Evropian për negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhje të çështjes së Kosovës.
Ministri në largim i Punëve të Jashtme të Sllovakisë, Miroslav Lajçak do të jetë i dërguari special i Bashkimit Evropian për negociatat mes Beogradit dhe Prishtinës për zgjidhje të çështjes së Kosovës, ka bërë të ditur “Blic” nëpërmjet burimeve diplomatike në Berlin.
Lajçak në atë pozitë do të vjen me propozim nga kancelarja gjermane Angela Merkel e cila, sipas “Blic”, në këtë mënyrë përforcon angazhimin e saj në Ballkan. “Tani është zyrtare se krerët e Serbisë dhe Kosovës janë njoftuar se Lajçak do t’i udhëheq bisedimet”, thuhet nga burimet e “Blic”. Mirëpo, e përditshmja serbe nuk ka marrë konfirmim për emërimin e Lajçakut nga kabineti i presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiç.
Lajçak megjithatë është zgjedhje e Berlinit e që nuk kundërshtohet as nga Rusia marrë parasysh se ka përfunduar Institutin shtetëror të Moskës për marrëdhënie ndërkombëtare, shkruan “Blic”, transmeton lajmi.net.
Ai është njohës i mirë i Ballkanit dhe politikan me përvojë kurse tashmë ka kryer shumë funksione të rëndësishme në terren, ka qenë përfaqësues special i BE-së për Bosnjë e Hercegovinë nga 2006 deri më 2009, punoi në Shërbimin Evropian për punë të jashtme, flet gjuhën që kuptohet nga rajoni dhe ka përvojën e nevojshme.
“Blic” shkruan se krerët e Serbisë nuk kanë shumë arsye të jenë të kënaqur me zgjidhjen e tij edhe pse Lajçak vjen nga një shtet që nuk e ka njohur pavarësinë e Kosovës dhe ai do të bëjë gjithçka në fuqinë e tij që të arsyetojë besimin që i është dhënë me rekomandim nga Gjermania, andaj pritet të luftojë edhe më shumë për të mbrojtur pavarësinë e Kosovës.
Angazhimi i Gjermanisë në bisedimet mes Beogradit dhe Prishtinës ishte i pritur ndërsa ishte paralajmëruar disa herë edhe nga presidenti serb, Vuçiç.