Mitrovica në “shtetrrethim”, arrestohen qytetarë e policë

Një operacion i rëndësishëm policor është ndërmarrë mëngjesin e kësaj të marte në veri të Kosovës, në 4 komunat me shumicë serbe, teksa Policia e Kosovës është vënë në kërkim të të dyshuarve për vrasjen e një polici, të identifikuar si Enver Zymberi, si dhe ish-politikanit serb, Oliver Ivanoviç.

Gjatë operacionit janë ndaluar disa zyrtarë policie dhe qytetarë. Ndërhyrja po zhvillohet nga Policia e Kosovës, në bashkëpunim me Inspektoriatin Policor të Kosovës, nën asistimin e njësive të tjera përkatëse, në zbatim të një urdhri të lëshuar nga Gjykata Themelore e Prishtinës.

Ndërhyrjes së mëngjesit të sotëm i ka paraprirë një hetim disamujor i IPK-së dhe Policisë së Kosovës, udhëhequr nga Prokuroria Speciale e Kosovës, që ka rezultuar me dyshime të bazuara të përfshirjes së disa zyrtarëve të policisë dhe qytetarëve në vepra penale.

Ata dyshohen për “pjesëmarrje ose organizim të grupit kriminal”, “kontrabandë mallrash”, “shpërdorim të pozitës zyrtare”, “dhënie ryshfeti”, “tregti e ndaluar” etj..

SHKARKO APP