Mjeku shqiptar që ia shpëtoi jetën foshnjës serbe
Mediat serbe raportojnë për foshnjën serbe të shpëtuar nga KFOR-i. Por, përveç KFOR-it, del të jetë një heroi tjetër në shpëtimin e Dimitrit, 20 ditësh. Bëhet fjalë për anesteziologun shqiptar, Muharrem Morina, i cili punon në Spitalin e Prishtinës.
“Muharrem Morina, 48 vjeçar, anesteziolog nga Prishtina, e ka shpëtuar bashkë me pjesëtarët e KFOR-it vogëlushin Dimitrij Nedeljkoviç, i cili për shkak të infeksionit të zemrës me helikopter të KFOR-it është dërguar në Beograd”, shkruan gazeta serbe “Blic”.
“Siç kanë thënë prindrit e vogëlushit i cili për 20 ditë kishte infeksion në zemër, Muharrem Morina ishte anesteziologu i vetëm në Prishtinë që pranoi të ishte në helikopter me rastin e bartjes së foshnjës së tyre”, shkruan “Blic”.
“Prindërit e Dimitrit erdhën tek unë dhe me luten që t’ua përcjellë djalin. Edhe pse fillimisht kisha frikë nga udhëtimi me helikopter, e pranova lutjen. E mora mendimin e neonatologut në Prishtinë për barjen e vogëlushit dhe u nisa për Beograd”, tregon ai.
Ai thotë se në qiell nuk kishte kohë për frikë, dhe se tërë kohë ka menduar për shëndetin e Dimitrit, shkruan lajmi.net.
“Për mua nuk kishte rëndësi kombësia e pacientit tim. Gjithë kohë isha i fokusuar tek vogëlushi, pasi që në helikopter nuk kishte rrymë. Helikopteri amerikan ka misione tjera, kështu që u detyruam ta ndezim inkubatorin”, kujton Morina.
Dimitrij i vogël kishte arritur në Beograd me inkubator të fikur, kurse Morina gjatë gjithë kohës ishte kujdesur për temperaturën e tij.
“Fluturimi deri në Beograd zgjati një orë. Në helikopter ishin katër anëtar të bordit, motra medicinale, nëna e fëmijës dhe unë. Dimitrit pak para fluturimit i ishte dhënë paracetamol për uljen e temperaturës”, ka thënë ai.
Foshnja kishte arritur e sigurt në Institutin për nëna dhe fëmijë në Beograd. Morina, dje kishte shkuar në Beograd për ta parë Dimitrin e vogël.
Gjendja e vogëlushit tash është stabile dhe se i është hequr aparati për frymëmarrje. /Lajmi.net/