Mocioni i opozitës për rrëzimin e Qeverisë, PDK merr vendimin sot nëse do i bashkohet nismës

Partia Demokratike e Kosovës, do të marrë sot vendim nëse do ta përkrahë mocionin e iniciuar nga opozita, për ta rrëzuar qeverinë para seancës së Kuvendit. Këtë e konfirmoi anëtari i Kryesisë së PDK-së, Abelard Tahiri, duke thënë se për zgjedhje, vendosin nesër mbi 150 anëtarë të Këshillit të Përgjithshëm të subjektit që përfaqëson.

“Unë nuk mund ta paragjykoj asnjë vendim të PDK-së, se do të shkojë apo nuk do të shkojë vendi në zgjedhje. Ajo është një çështje që i mbetet secilit anëtar. Janë mbi 150 anëtarë, të cilët nesër do të votojnë se cili do të jetë vendimi i PDK-së. Nuk mund ta flas për vendimin që mund ta marrin këta anëtarë nesër”, tha ai në “Infobox” të RTV Dukagjinit.

Tahiri insiston se PDK duhet ta zhbllokojë situatën në vend, dhe se është koha që të kemi një fillim të ri. Ai ka folur edhe për çështjen e demarkacionit, duke thënë se nga ana e PDK-së, numri i votave është së paku 33 dhe janë mjaftueshëm, por që kjo nuk mund të thuhet edhe nga ana e LDK-së. “Ne kemi kërkuar disa herë procedimin e asaj marrëveshje. Mendojmë që është marrëveshje e drejtë. Kryeministri Mustafa ka thënë se në momentin që i kem votat, e procedojmë. Dhe nëse e dëgjojmë atë deklaratë, atëherë LDK nuk i ka votat. Ne themi se i kemi votat në masë të madhe nga Grupi Parlamentar”, tha ai.

Lidhur me aderimin e ri të PDK-së, Arbana Xharra, Tahiri tha se do të ketë edhe aderime të shumta nga fusha e gazetarisë, shoqërisë civile e fusha të tjera. Për zgjedhjet, anëtari i kryesisë së PDK-së, është i bindur se do t’i fitojnë me një epërsi të thellë.

SHKARKO APP