Mocioni kundër Albin Kurtit si mision për ndarjen e Kosovës

Nga ALEKSANDER BIBERAJ

Pavarësisht situatës tepër shqetësuese të shkaktuar nga koronavirusi në Shqipëri, Kosovë dhe kudo ku ka shqiptarë (se situatën globale ia kemi lënë në dorë “liderit lobal”), po e ndjek me shumë shqetësim situatën politike në Kosovë, dhe kjo për arsyen madhore që ka të bëjë me të ardhmen e Kosovës dhe të integritetit territorial të saj, pasi fatkeqësisht një pakicë politikanësh shqip-folës por me pushtet, po punojnë fort dhe po investohen non-stop prej më shumë se një viti për ndarjen e Kosovës.

Zhvillimet e ditëve të fundit natyrisht që janë tepër negative, pasi shkarkimi i Ministrit të Brendshëm të LDK-së nga Kryeministri u shoqëruar me ultimatum dhe mocion-rrufe 24 orësh të LDK-së për shkarkimin e Kryeministrit. Ish-Ministri i Brendshëm me prononcimin e tij publik i’u bashkëngjit Presidentit Thaci, duke sfiduar dhe treguar hapur se nuk e njeh Albin Kurtin si Kryeministër dhe as Isa Mustafën si Kryetar të LDK-së, por njeh vetëm Hashim Thacin edhe si President, edhe si Kryeministër, edhe si Kryetar të LDK-së dhe si kryenegociator me Beogradin për “shkëmbim territoresh”.

Pavarësisht se u deshën rreth 4 muaj negociata tepër të vështira ndërmjet LVV-së dhe LDK-së për të krijuar qeverinë e re, me sa duketkryetarit të LDK-së Isa Mustafa i mjaftuan me pak se 2 muaj për t’u bërë pishman për koalicionin, dhe më pak se 24 orë për të shfrytëzuar sebepin e shkarkimit të Agim Veliut për të prishur koalicionin dhe kërkuar rrëzimin e qeverisë, në kulmin e pandemisë botërore të koronavirusit. Pa hyrë në teknikalitete juridiko-administrative, është mëse e qartë se ish-Ministri i Brendshëm duke dalur publikisht kundër vendimit të Kryministrit dhe Qeverisë si organ kolegjial, ku bënte pjesë edhe vetë ai, ka shkelur disiplinën dhe etikën, shkak i mjaftueshëm ky për një ministër për t’u shkarkuar.

Natyrisht që Kryeministri Kurti mund dhe duhej të konsultohej me kreun e LDK-së Isa Mustafa, lidhur me shkarkimin e Agim Veliut, me qëllim gjetjen e një bashkë-dakortësie për të mbajtur koalicionin dhe qeverisjen si fitues te zgjedhjeve të 6 Tetorit. Mjaftuan vetëm 24 orë për të kuptuar se shkarkimi i Agim Veliu ishte vetëm sebepi që me sa duket po priste kryetari i LDK-së, i cili në fakt nuk priti as ultimatumin një-javor që i dha vetë Kryeministrit, por paraqiti mocionin-rrufe, dhe tani po kërkon vota dhe aleanca të reja si për mocionin ashtu edhe qeverisjen post-Kurti.

Mocionin edhe mund ta realizojnë, por qeverisje pa partinë e parë që fitoi zgjedhjet LVV-në nuk mund të ketë, pasi një gjë të tillë nuk e lejon kushtetuta e Kosovës. Atehërë do të shkohet në zgjedhje të parakohëshme sipas llogjikës së mocionistëve, në kushtet e pandemisë, kur edhe vende që kishin shpallur zgjedhje po i anullojnë ato. Skenari është më se i qartë, mjafton qe te shkarkohet Albin Kurti që të mos jetë krye-negociator me Serbinë, por të jetë Hashim Thaci, duket sikur urdhëri i prerë dhe urgjent ka ardhur nga Beogradi!? Duke lexuar formulimin e mocionit, kuptohet lehtësisht se shkaku i mocionit nuk është aspak shkarkimi i Ministrit, pasi ikën një ministër dhe vjen një tjetër, por taksa, dhe dihet që pas taksës fshihet ndarja e Kosovës nëpërmjet “shkembimit të territoreve” apo “korrigjimit të kufinjve”, dhe pas ndarjes është Hashim Thaci.

Pra është më se e qartë se mocioni i Isa Mustafës është tepër i kordinuar me Hashim Thacin, dhe padyshim që con ujë politikisht ne planin e brendshëm tek ky i fundit, dhe në planin ndërkombëtar tek Vucici për ndarjen e Kosovës. Këtë argument e përforcon edhe më shumë brendia e mocionit që i referohet për gjithcka vetëm mardhënieve Kosovë-SHBA, gjë që tregon qartazi se mocioni është i diktuar nga Hashim Thaci, i cili në të gjitha daljet e tij publike ka kohë që tregohet një “supër-patriot amerikan” duke shprehur edhe një super-dashuri për Amerikën, duke u përpjekur që t’i bindë shqiptarët e Kosovës, se Ai e don Amerikën edhe më shumë se sa vetë Presidenti Amerikan Donald Trump.

Hashimi po tregon se për hir të kësaj “super-dashurie”, por në fakt nga frika e Gjykatës Special, do të ishte i gatshëm t’i dhuronte Vucic-it, veriun e Kosovës, pavarësisht se ato janë troje shqiptare të banuara dhe të lara me gjak shqiptarësh ndër shekuj. Dihet që jemi një ndër kombet më të vjetra të Europës që kurrë nuk kemi cënuar apo okupur asnjë pëllëmbë toke të askujt në botë, përkundrazi sllavët kanë shekuj që na masakrojnë, duke na copëtuar dhe marrë territore pa fund nga trungu i Dardanisë së të parëve tanë.

Për mocionin e LDK-së është shprehur shumë ashpër dhe shumë qartë raportuesja për Kosovën e Parlamentit Europian Viola von Cramon, e cila i bën thirrje LDK-së që të anulojë mocionin e votëbesimit ndaj qeverisë Kurti, pasi një gjë e tillë do të nënkuptonte katastrofë, jo vetëm për Kosovën, por edhe rajonin, duke shtuar më tej se është në interesin vital të Bashkimit Evropian dhe të SHBA-së që Kosova të ketë një qeveri funksionale dhe stabile, që edhe të udheheqë negociatat me Serbinë. Pra edhe sipas BE-së, negociator me Serbinë është Kryeministri, Qeveria qe raporton në Kuvend, dhe jo Presidenti.

Në të njëjtën linjë edhe më ashpër janë shprehur edhe diplomatët amerikan që janë miq të sinqertë dhe pa interesa komerciale të Kosovës  Daniel Serwer e Shaun Byrnes. Edhe intelektuali i shquar dhe i pavarur kosovar Veton Surroi ka të njëjtën linjë qëndrimi. Situata është më se e qartë, duhet hequr Albini si kryenegociator me Serbinë, që të ulet Thaci në negociatat me Serbinë dhe të mbyllë pazaret e veta. Të bën përshtypje bashkimi në këtë koalicion-mocion i të gjithë faktorëve politikë që kanë rreth 20-30 vite që bëjnë ligjin në politikën kosovare.

U bashkua edhe Ramushi me këtë koalicion!?, edhe Fatmiri!?, Bexheti po dihet, PDK po se po!? Ka kohë që në Kosovë thuhet se kryetar i PDK-së është Hashim Thaci, tani që mocioni do të përcajë  LDK-në dhe t’i shërbejë lojës së Hashimit, pyetja që shtrohet është se si ka mundësi që partia e Presidentit Rugova, i cili kurrë nuk bëri pazare të asnjë lloj forme apo natyre me pazarxhinjtë e vjetër apo të rinj të Kosovës, dhe as me argatët e Serbisë, të përfundojë në një shërbëtore, apo shtojcë të PDK-së së Hashim Thacit, kur dihen fare mirë edhe se si kanë qenë raportet e Presidentit Rugova me Hashim Thacin!? LDK që u betua në fushatë se kurrë nuk do të bëntë koalicion me PDK-në tani po i kërkon votat për rë rrëzuar Albinin!? A do të mbajë përgjegjësi Isa Mustafa për këtë tjetërsim të partisë së parë opozitare në të gjithë Europën Jug-Lindore të krijuar 30 vite më parë nga elita intelektuale, nga akademikë dhe profesorë të Kosovës, e cila ka një meritë të pazëvëndësueshme për ndërkombëtarizmin e cështjes së Kosovës dhe ndërhyrjen ushtarake të SHBA-së dhe NATO-s për clirimin e Kosovës!?

Është interesant fakti që tani që lojtarët e Hashimit janë në lojë, ai ka disa ditë, që kur lindi kriza qeverisëse, që nuk prononcohet fare, pasi punën po i’a bëjnë të tjerët. Dhe qershia mbi tortë është kur dëgjon zëdhënësin e këtij koalicioni Baton Haxhiun, që i qan hallin serbëve dhe Serbisë me shume se kosovarëve dhe Kosovës, edhe në këto momente të vështira pandemie, duke harruar gjakun lumë të shqiptarëve që eshtë derdhur në Kosovë për mbrojtjen e saj, zhdukjen e mijëra shqiptarëve të vraë dhe masakruar nga serbët, perdhunimet masive nga serbët të grave dhe vajzave të Kosovës, si dhe shumë e shume plagë të luftës të parikuperuara dhe te pambyllura sot e kësaj dite, dhe kjo vetëm e vetëm pasi serbët deshën dhe duan të largojnë shqiptarët nga trojet e tyre që zoti ua fali shumë kohë më parë se sllavët të vinin në Ballkan.

Në përfundim do të thoja se situata është më se e qartë për cdo shqiptar të Kosovës dhe për cdo shqiptar kudo që është, se e shkuara 20-30 vjecare e Kosovës, me shumë dyshime, pazare, trafiqe, krime, vrasje, korrupsion, nuk po e len Kosovën që të ecë parpara, por don ta mbajë peng dhe ta përdorë atë si plackë tregu për të mbyllur pazaret e fundit me Serbinë dhe në favor të saj. Në Kosovë, por edhe në dialektin geg, hajdutëve i’u thonë hajna, dhe populli në Kosovë kur punët nuk ecin mirë thotë “u bashkuan hajnat”, që nuk e lënë Kosovën të ecë përpara, sidomos në momentet kyce të saj. Uroj që të mos jetë kështu dhe ky most të jetë rasti. A do ta lejojnë kosovarët këtë gjë të ndodhe, kurrën e kurrës, situate duket tepër e vështirë, por jo pa rruge-zgjidhje. Kosova dhe populli i Kososvës kanë kaluar situate tepër më të rënda dhe tepër më të vështira, dhe jo vetëm që i’a kanë dalë të  mbijetojnë, por kanë jetur dhe kanë fituar!

SHKARKO APP