Moti i keq përfshin Europën, në Kosovë parashikohen reshje bore dhe shiu në gjithë vendin
Reshjet e shiut dhe të dëborës në rajon mund të dëndësohen në ditët që vijnë pasi pritet të afrohet stuhia e Spanjës me temperatura nën 0 gradë Celsius. Kosova, Maqedonia e Veriut dhe Mali i Zi deri Franca dhe Italia në Europë janë vënë në gjendje gatishmërie.
Moti i keq që po mbizotëron prej ditësh ka izoluar rajone të tëra në shtetet fqinje dhe në Europë.
Instituti Hidrometeorologjik i Kosovës njoftoi të dielën se reshjet do të vazhdojnë në gjithë territorin e vendit, dhe temperaturat do të luhaten rreth 0 gradë Celsius.
Komuna qendrore e Malishevës konsiderohet më e prekura nga përmbytjet dhe ndër më të rrezikuarat nëse bora e fundit do të shkrinte.
“Dëmet infrastrukturore nga këto përmbytje mund të jenë edhe si pasojë e punëve të shpejta dhe jocilësore,” reagoi ish-kryeministri dhe kandidati për postin e ri, Ramush Haradinaj, pas vizitës në komunë.
Reshjet e shiut u rritën dukshëm në fundjavë edhe nivelin e lumenjve të Maqedonisë së Veriut, ndërsa në Malin e Zi, tri fshatra në rajonin e Anamalit u vërshuan nga uji porsi Ulqini ditë më parë.
Autoritetet në të tria shtetet paralajmërojnë se vështirësi në vijim do të paraqitin edhe reshjet e dëborës.
Në gjendje të lartë gatishmërie nga ky rrezik kanë hyrë edhe shtetet si Kroacia dhe Italia, të cilat i druhen edhe valës së stuhisë së borës, “Filomena”, që po afron nga Spanja.
Dy spanjollë humbën jetën nga i ftohti ekstrem deri -36 gradë Celsius dhe dy të tjerë ranë viktima të aksidenteve në rrugët e ngrira të vendit.
Edhe në Korsikën franceze, situata me dëborën duket tepër me rrezik.
“Në veri të ishullit kemi rrezikun e ortekëve për shkak të sasisë së dëborës së akumuluar këtë sezon, e paprecedentë për 20 vitet e fundit. Presim edhe reshje të tjera që do ta rëndojnë më tej mantelin prej bore dhe mund të shkaktojnë ortekë të mëdhenj.”
Meteorologët presin që stuhia e borës nga Spanja do të vazhdojë të vërtitet në rajonin e Mesdheut, për t’u shtyrë në javën në vijim edhe në Ballkan.