Muri në Mitrovicë, BE: Jemi në dijeni, kemi nisur verifikimet

Bashkimi Europian po shqyrton raportet për ndërtimin e një muri në urën mbi lumin Ibër në Mitrovicë për të verifikuar nëse gjithçka është sipas marrëveshjes.

Kështu ka deklaruar zëdhënësja e përfaqësueses për politikë të jashtme në Bashkimin Europian Federica Mogherini.

Në një prononcim për mediat e Kosovës, Maja Koçijançiç u shpreh:

“Marrëveshja për urën e Mitrovicës përfshin edhe vetë rinovivimin e urës, investim i Bashkimit Europian. Kjo vlen edhe për rrugën ‘Mbreti Petar’. Që të dyja, ura dhe rruga, është rënë dakord që të rihapen më 20 janar 2017”.

Sipas saj, Bashkimi Europoian është në kontakt të ngushtë me palët e interesuara që të sigurojnë një dizajn të kënaqshëm edhe për urën edhe për rrugën, në mënyrë që të gjithë qytetarët të përfitojnë nga kjo.

Por nga ana tjetër autoritet kosovare janë alarmuar nga ndërtimi i murit në veri të Mitrovicës nga serbët.

Një ditë më parë ministrja për Dialog, Edita Tahiri mbajti një takim urgjent me grupin qeveritar të punës për marrëveshjen e Brukselit, për të vendosur mënyrat e heqjes së barrikadës dhe për të koordinuar masat ligjore të qeverisë për ndalimin e ndërtimit të murit.

Tahiri thotë se ky mur është në kundërshtim me marrëveshjen për hapjen e urës dhe se muri duhet të shembet.

Kurse kryetari i Mitrovicës veriore, Goran Rakic ka thënë se muri nuk do të largohet dhe se për ndërtimin e tij janë në dijeni edhe BE-ja edhe Prishtina zyrtare.

Muri prej betoni, 2 metra i lartë, po ngrihet ilegalisht në vendin ku, sipas planit të BE-së duhej të ishte një park.

SHKARKO APP