Musliu: Kosova nuk e ka luksin të mbajë çdo tre vjet zgjedhje

Deputetja e PDK-së, Ganimete Musliu, duke folur për mundësinë e zgjedhjeve të parakohshme, ka thënë se PDK-ja nuk e ka ende një qendrim përfundimtar.

Ajo në “Ballë për Ballë” të emisionit “Ora e Fundit” në “Klan Kosova”, ka thënë se do të preferonte që koalicioni qeverisë të përfundojë mandatin zgjedhor brenda afatit kushtetues.

“Kosova ka bërë një traditë të shkuarjes në zgjedhje të parakohshme, ose lënies në gjysmë të mandatit zgjedhor. Nuk do të ishte risi shkuarja në zgjedhje të parakohshme, por e rëndësishme është të shihet çka pas zgjedhjeve.

Nëse zgjedhjet do të provonin zgjidhje, pse të mos shkohet po nëse thuhet të shkojmë në zgjedhje të shpejta, mendoj se të tilla nuk i konvenojnë askujt, dhe kështu po krijohet një Qeveri shpejtë e shpejtë.

Unë si Ganimete Musliu jam ithtare e përfundimit të mandatit në bazë të ligjeve dhe Kushtetutës dhe mandatave zgjedhore. Konsideroj se Kosova ka nevojë për një stabilitet politik, nuk besoj që kemi luks kaq të madh por vetë fakti që nga mëngjesi në mbrëmje dominon tema e zgjedhjeve, konsideroj se tashmë është krijuar kjo klimë”, ka thënë ajo.

“Kosova se ka luksin që të shkojë çdo tre vjet në zgjedhje, faktori kohë nuk është i favorshëm – shkuarja e zgjedhjeve merr shumë kohë, që nga shpallja e deri në përfundim”, ka thënë Musliu.

SHKARKO APP