Mustafa bën bilancin e qeverisjes njëvjeçare: Opozita të mos krijojë barriera
Isa Mustafa ka bërë bilancin e punës njëvjeçare të qeverisë së tij, përmes një konferencë për media. Kryeministri i Kosovës tha se qeveria e tij gjatë këtij viti është bllokuar nga barrierat që ka vendosur opozita. Lidhur me këtë ai tha se opozita duhet të heqë dorë nga dhuna dhe të ulet në tryezë për dialog. Duke folur për punën e qeverisë, Mustafa tha se gjatë një viti pune, koalicioni qeverisës ka qenë i qëndrueshëm, nuk ka pasur asnjë aferë korrupsioni dhe ka punuar në konsolidimin e subjektivitetit ndërkombëtar, por edhe në reforma ekonomike. Ai tha se, me subvencionet prej mbi 50 milionë eurosh në bujqësi kanë arritur ta zhvillojnë këtë sektor, çfarë ka nxitur që të punohet shumica e sipërfaqes së tokës, e që sipas Mustafës do të ndikojë në zëvendësimin e produkteve të importit me ato vendase. Mustafa përmendi si suksese edhe marrëveshjen për ndërtimin e termocentralit “Kosova e Re”, prej mbi një miliard eurosh, marrëveshjen për Brezovicën prej 400 milionë eurosh dhe investime të tjera që – sipas tij, – do të ndikojnë në hapjen e vendeve të reja të punës. Gjatë vitit 2016, ai tha se qeveria e tij do të ketë dy prioritete kryesore: zhvillim ekonomik dhe hapjen e vendeve të reja të punës.