Mustafa: Dita e Turqve, ditë e gjithë Kosovës

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, theksoi sot se “Dita e turqve nuk është vetëm festë e këtij komuniteti, por e të gjithë qytetarëve të Kosovës”.

Në fjalën e tij gjatë konferencës për festimin e Ditës së Komunitetit Turk, Mustafa tha se “festimi i kësaj dite e bën Kosovën vend multietnik”.

Ministri i Administratës Publike, Mahir Yagcilar, tha se turqit e Kosovës e shënojnë ditën e tyre bashkë me pavarësinë e Kosovës, pasi po të mos ishte Kosova e pavarur nuk do të mund të kremtohej as kjo ditë.

Në Kosovë festohet Dita e Turqve -23 Prilli , e cila është e përcaktuar si një nga “ditët memoriale” me Ligjin për festat zyrtare, të miratuar pas shpalljes së pavarësisë para 8 viteve.

Në Kosovë mbërrin sot edhe zëvendëskryeministri i Republikës së Turqisë, Numan Kurtulmuş, i cili do të pritet në takime edhe nga drejtuesit më të lartë të shtetit.

Sipas regjistrimit të popullsisë të pranverës 2011, në Kosovë, pa veriun, u numëran 1.739. 825 banorë rezidentë, prej tyre 1.08 % të komunitetit turk. Regjistrimi tregonte se në Kosovë 92.93 % e banorëve janë shqiptarë. Pjesa tjetër e përqindjeve iu takon komuniteteve pakicë.

Mamusha, në rajonin e Prizrenit, është e vetmja nga gjithsej 38 komunat në Kosovë e banuar me shumicë nga komuniteti pakicë turk. Është komunë e re e krijuar në Kosovën e lirë e të pavarur në procesin e decentralizimit. Me shumicë shqiptare janë 27 komuna, ndërsa 10 me shumicë serbe.

Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës është miratuar në Kuvend në 21 maj 2008. Dekretimi nga Presidenti i Republikës i këtij ligji, si dhe i 40 ligjeve tjera të dala nga paketa e Propozimit Gjithpërfshirës për Zgjidhjen e Statusit të Kosovës të Kryenegociatorit Martti Ahtisaari – Emisarit Special të OKB-së, ishte një nga zhvillimet e ditës së 15 qershorit 2008 të hyrjes në fuqi të Kushtetutës së Kosovës, e cila është miratuar nga Kuvendi para 8 vitesh në 9 prill, më pak se dy maj pas shpalljes së pavarësisë në 17 shkurtin historik 2008.

Ligj për festat zyrtare në Republikën e Kosovës, mes tjerash, përcakton: “5.5 “Ditët memoriale janë: a) 28 Nëntori, dita e shqiptareve; b) 12 Qershori, dita e paqes; c) 6 Marsi, dita e Përkujtimit dhe e Respektit për Veteranet; 3 d) 23 Prilli, dita e turqve; e) 8 Prilli, dita e romëve; f) 15 Shkurti, dita e ashkalinjëve; g) 28 Shtatori, dita e boshnjakeve; h) 6 Maji, dita e goranëve. Ditët tjera memoriale përcaktohen nga Qeveria e Republikës se Kosovës në konsultim me Presidentin e Republikës së Kosovës, nga të cilat dy ditë në konsultim me komunitetin serb të Kosovës”.

SHKARKO APP