Mustafa dorëhiqet dhe lëshon kuvendin: Kryetari i ri do të drejtojë i pandikuar
Isa Mustafa ka dhënë dorëheqje nga pozita e kryetarit të LDK-së edhe zyrtarisht para kuvendit të kësaj partie duke liruar edhe sallën ku janë mbledhur delegatët për të zgjedhur tashmë kryetarin e ri. Para gazetarëve, ai tha se kryetari i ri do të drejtojë partinë i pandikuar nga askush.
Menjëherë pasi doli nga kuvendi, Mustafa tha se ka falënderuar të gjithë delegatët për punën e përbashkët 10-vjeçare sa ishte në krye të LDK-së. Ai tha se ka besim te kandidatët për kryetarë që do të çojnë përpara Lidhjen Demokratike duke respektuar edhe parimet mbi të cilat është ngritur kjo parti.
“Dëshiroj t’ju njoftoj se unë posa dhashë dorëheqje nga pozita e kryetarit të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Dorëheqja ime ishte e parevokueshme, prandaj dhe nuk u hap diskutim. Falënderova kuvendin, anëtarësinë dhe strukturat e LDK-së për punën 10-vjeçare që e kam bërë me ta. Kam pasur besim gjatë gjithë kësaj periudhë në njerëzit me të cilët kam punuar, kam besim edhe sot që ky kuvend do të nxjerrë një kryetar të LDK-së i cili do ta çojë Lidhjen Demokratike përpara mbi bazat fondamentale mbi të cilat është themeluar kjo parti si partie qendrës së djathtë, parti konservatore, partie e të gjitha gjeneratave, parti e cila kultivon partneritet te fuqishëm me Shtetet e Bashkuara të Amerikës, partneritet me Bashkimin Evropian dhe parti që është cilësuar gjithmonë si parti shtetformuese e cila në asnjë rast nuk duhet t’i mungojë skenës politike të Kosovës por besoj shumë që fuqishëm do të kthehet në të ardhmen në krye të vendit”, tha Mustafa.
Ish-kryetari i LDK-së, Mustafa, nuk ka thënë se cili mund të jetë vendimi më i mirë që ka marrë për një dekadë në krye të partisë, por përsëriti se ajo për prishjen e koalicionit me Lëvizjen Vetëvendosje ishte i duhuri.
Ai tha se mes Lëvizjes Vetëvendosje dhe partneritetit me Shtetet e Bashkuara të Amerikës zgjodhi këtë të dytën, pavarësisht se pati një çmim që e paguan, por që shtoi se e kanë bërë në mënyrë të vetëdijshme.
“I kam thënë anëtarëve se vendimi për prishjen e koalicionit me LVV është një vendim i mirë për të cilin unë jam i bindur dhe ndaj bindjen edhe në të ardhmen sepse ndërmjet Shteteve të Bashkuara të Amerikës, partneritetit me SHBA dhe qëllimeve dhe orientimeve të LVV, kam zgjedhur të kem partneritet me SHBA si partner strategjik. E kemi paguar pak këtë çmim, por kemi paguar në mënyrë të vetëdijshme dhe jam i bindur që edhe qytetarët e Republikës së Kosovës shpejtë do ta shohin këtë”, vijoi Mustafa.
I pyetur se cila do të ishte këshilla për kryetarin e ardhshëm të LDK-së që pritet të zgjidhet sot, Mustafa tha se nuk e ka asnjë të veçantë por se kryetari i ri do të drejtojë partinë në mënyrë të pandikuar.
“Nuk kam këshilla të veçanta për kryetarin e ardhshëm të LDK, lë hapësirë që ai të vendosë vet dhe të drejtojë vet në mënyrë të pandikuar në Lidhjen Demokratike të Kosovë, këta që janë sot kandidatë besoj që çdonjëri prej tyre mund ta bëjë këtë punë”, vijoi Mustafa.
Në fund, Mustafa nuk pranoi të përgjigjej në pyetjet në lidhje me zgjedhjen e presidentit të ri dhe takimeve me ushtruesen detyrës së presidentes.