Mustafa: Jabllanoviç? Kemi halle më të mëdha për të zgjidhur
Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, e ka cilësuar një bujë mediatike, rastin e Jabllanoviçit, ministrit për Kthim dhe komunitete nga radhët e pakicave serbe që i quajti nënat gjakovare "egërsira".
Megjithatë, Mustafa tha se do bëhet vlerësimi nëse është shkelur apo jo Kushtetuta, dhe më pas do veprohet.
“Është bërë një bujë shumë e madhe për Ministrin e Kthimit, e cila nuk meriton të bëhet sepse ne kemi probleme shumë më të mëdha në këtë vend për të zgjidhur dhe nuk duhet të fokusohemi vetëm aty. Çështja e raportit me ministrin duhet të jetë çështje e raportit mbi bazën kushtetuese dhe mbi bazën ligjore. Nëqoftëse vërtetohet që është shkelur Kushtetuta apo Ligji, atëherë do të ndërmerren masa.
Mirëpo tani për tani, unë konsideroj që objektivi ynë themelor është që ne ta ushtrojmë pushtetin në të gjithë territorin e Republikës së Kosovës”, tha ai gjatë një vizite në doganën e Vërmicës, në kufirin Kosovë-Shqipëri, ku ai vizitoi efektivët kosovarë të Kufirit.