Mustafa kërkon barazi me VV: Ta lexojë qartë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit

Lidhja Demokratike e Kosovës nuk tërhiqet nga kërkesa për të marrë postin e presidentin. Në një fjalim me rastin e 30 vjetorit të themelimit të partisë, kryetari Isa Mustafa, i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta lexojë qartë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje e balancuar.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa i kërkoi Lëvizjes Vetëvendosje që ta lexojë qartë rezultatin e zgjedhjeve të 6 tetorit, në mënyrë që të arrihet një marrëveshje për qeverinë. Sipas kreut të LDK-së, dy partitë janë thuajse të barabarta, dhe për këtë arsye në arritjen e koalicionit të ardhshëm qeverisës duhet të përfshihen gjitha postet institucionale, përfshirë postin e presidentit.

Ai këto deklarata i bëri me rastin e shënimit të 30-vjetorit të themelimit të LDK-së.

 “Ne besojmë se edhe Lëvizja Vetëvendosje duhet të lexojë qartë rezultatet dhe të pranojë se jemi subjekte gati të barabarta që kemi dal nga zgjedhjet. Me një diferencë prej një deputeti për të cilin ne jemi pajtuar që parimisht pozita e kryeministrit t’i takojë partnerit tonë që nga hyrja në fushatë në këto zgjedhje”, tha Mustafa.

Kreu i LDK-së bëri thirrje edhe për unitet brenda partisë, ku sugjeroi që të gjitha ambiciet personale të tejkalohen dhe mos sjellin përçarje.

“LDK ka nevojë për unitet që ambiciet  personale dhe diversitetin natyror të mendimeve duhet të kalojmë ndryshe, e jo përmes përçarjeve brenda subjektit tonë”, tha ai.

Në 30-vjetorin e themelimit të LDK-së, Mustafa kërkoi edhe zbardhjen e vrasjeve  të  zyrtarëve të kësaj partie, ku tha se ndriçimi i rasteve është borxh dhe detyrim për të ardhmen e Kosovës.

SHKARKO APP