Mustafa: Kurti shkarkoi veten, Osmani nuk po e respekton LDK-në

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Isa Mustafa ka deklaruar se grupi i LDK-së ka dhënë argumente të mjaftueshme që duhet t’i ketë Gjykata Kushtetuese për të drejtën qeverisëse por do të respektojë çdo vendim të saj.

Ai është shprehur i bindur që nuk kanë bërë shkelje kushtetuese.

“Është e domosdoshme që vendi të ketë një qeveri të re, pasi kjo qeveri nuk e manexhoi situatën duke e shkelur kushtetutën brenda një muaji”, tha Mustafa.

Sipas tij, Kurti e shkarkoi veten për arsye se i ashpërsoi deri në kufi të patolerueshëm marrëdhëniet me ShBA-të, i përkeqësoi marrëdhëniet me vendet e BE-së, por kishte probleme edhe në koalicion.

“Jam i lumtur që ka rënë ky koalicion sepse po të vazhdonte, sigurisht që do të kishim probleme edhe me të mëdha. Si mund të funksionojë një bashkëqeverisje ku një parti del dhe shkarkon ministra pa na pyetur. Kjo nuk ka kuptim sepse në të kundërtën do të thonim eja shkel mbi qafen tonë sepse kemi një marrëveshje”, tha ai në Rtv21.

Mustafa tha gjithashtu se Vjosa Osmani nuk po e respekton LDK-në, pasi ka votuar kundër mocionit për rrëzimin e qeverisë Kurti.

SHKARKO APP