Mustafa: Kurti të heqë taksën, të anulojë vendimin e shkarkimit e të kërkojë falje

Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa ka qartësuar edhe një herë situatën se si ka ardhur deri tek mocioni i mosbesimit ndaj qeverisë Kurti.

Me anë të një postimi në Facebook, Mustafa ka treguar se i kishte dërguar letër Kurtit më 16 mars, ku i kishte shprehur shqetësimin e tij për pozicionimin e kryeministrit për taksën.

“Nëse vazhdohet kështu, posa ta kapërcejmë këtë situatë emergjente me Virusin, si LDK do të detyrohemi të dalim nga koalicioni, sepse nuk duam të jemi bashkëpërgjegjës të prishjes së marrëdhënieve me aleatin tonë kryesor”, i kishte shkruar Mustafa, Kurtit.

Por kështu nuk ndodhi. Mustafa thotë se përgjigja që mori nga Kurti ishte shkarkimi i Agim Veliut e më pas shpallja tradhtar e tij.

“Përgjigjen që e mora nga Kryeministri Kurti, më 18 mars ishte shkarkimi në kundërshtim me Marrëveshjen për koalicion, të nënkryetarit të parë të LDK-së, z. Agim Veliu nga pozita e Ministrit të Punëve të Brendshme dhe Administratës Publike dhe shpallja e tij, hiq më pak se, tradhtar në adresimin e tij qytetarëve në mbrëmjen e asaj ditë”, ka shkruar Mustafa në Facebook.

Ai ka thënë se pret nga Kurti që ta heq taksën, t’i kërkojë falje LDK-së si dhe ta anulojë vendimin për shkarkimin e Veliut.

SHKARKO APP