Mustafa: Masakra e Reçakut, krimi që tronditi botën demokratike
Kryetari i LDK-së, Isa Mustafa përkujtoi të rënët e Masakrës së Reçakut.
Ai tha se Reçaku ishte një njëra nga krimet më të tmerrshme të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare.
Kreu i LDK-së shtoi se viktimat e Reçakut janë vulë e çlirimit dhe shtetformimit të Kosovës dhe se ata janë në piedestalin e historisë më të re, andaj përulemi para veprës së tyre.
“Sot, bëhen 21 vite nga momenti kur ndodhi Masakra e Reçakut, njëra nga krimet më të tmerrshme të regjimit serb mbi popullatën civile shqiptare. Aktin makabër të regjimit të Millosheviqit e pa nga afër i tmerruar edhe ambasadori i OSBE-së, William Walker. Masakra e Reçakut, zgjoi ndërgjegjen e fjetur ndërkombëtare ndaj padrejtësive dhe krimeve shekullore të Serbisë mbi popullin e Kosovës.
Viktimat e Reçakut, janë vulë e çlirimit dhe shtet-formimit të Kosovës, ata janë në piedestalin e historisë më të re, andaj përulemi para veprës së tyre. Pa sakrificën e tyre, liria nuk imagjinohej dot. Lavdi jetës dhe veprës të rënëve në Masakrën e Reçakut”, deklaroi Mustafa.