Mustafa: Mos dyshoni në rezultatet e marrëveshjeve të përbashkëta me Shqipërinë
Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, gjatë mbledhjes së sotme të Qeverisë, u shpreh se askush nuk duhet të dyshojë në marrëveshjet e arritura së fundmi me Shqipërinë.
Sipas KosovaPress, Mustafa falënderoi ministrat për punën e bërë në takimin e përbashkët të zhvilluar dje në Tiranë. Ai tha se, askush nuk duhet të ketë dyshime në suksesin e takimeve të përbashkëta.
I pari i Qeverisë ka folur po ashtu edhe për pakon e fundit të ligjeve që do të aprovohen nga Qeveria për tatimet që prekin ekonominë, për të cilat tha se do të ndihmojë në përmirësimin e kushteve të të bërit biznes.
Qeveria sipas tij, po punon në reformimin e sistemit tatimor për të krijuar një mundësi të mirë për të bërë biznes dhe për të rritur konkurrencën e bizneseve dhe përgatitjen e tyre për të qenë konkurrent të denjë në Evropë.
“Me këto ligje synohet ulja e pragut të tatimeve me produktet bazike”, tha Mustafa. Ai theksoi se me miratimin e këtyre ligjeve po nis aplikimi i planit të Qeverisë për përmirësimin e të bërit biznes në vend.
Mustafa foli edhe për 16-vjetorin e fillimit të bombardimeve të NATO-së. Sipas tij, ky ishte fillimi i fundit të luftës dhe fillimi i lirisë së Kosovës.