Mustafa: Na solle ar dhe orgur suksesesh Majlindë!

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, kthimin e Majlinda Kelmendit me medalje të Artë nga Rio, e ka parë si fillime të sukseseve të tjera të Kosovës që ai i përmbledh me nisjen e rivitalizimit të urës në Ibër, bisedimet në Bruksel për kodin telefonik, ardhjen e Bidenit në Kosovë dhe bashkëpunimin me Mbretërinë e Bashkuar. Ja komenti i plotë:

***
“Majlinda Kelmendi solli në Kosovën tonë Medaljen e parë dhe të Artë Olimpike. Ajo solli gëzim në secilën familje. Mënyra se si u prit Majlinda në Aeroport dhe në rrugët e Prishtinës dhe të qytetit të saj të lindjes, Pejës është tregues çka duan qytetarët. Ata duan suksese. Nuk duan sherre e debate të panevojshme.

Në ditën e djeshme filloi zbatimi i strategjisë për hapjen e urës mbi lumin Ibër në Mitrovicë. Majlinda dhe Ura e Ibrit e përmbyllen mirë një javë të gjatë e mot të paqëndrueshëm vere.

Këtë javë e nisëm me nënshkrimin e Marrëveshjes së mirëkuptimit ndërmjet Kuvendit, Qeverisë dhe Ambasadës së Mbretërisë së Bashkuar për ofrimin e mbështetjes në rekrutimin e pozitave të larta.

Marrëveshja do të na mundësojë të vendosim standarde të reja në menaxhimin e ndërmarrjeve publike dhe institucioneve të tjera.

Nga Brukseli presim lajme për ta pajisur Kosovën me Kodin e vet ndërkombëtar telefonik.

Kosovën e nderon me vizitë burrështetasi i lartë, zëvendëspresidenti amerikan Joe Biden.

Këto lajme të mira duhet t’i përjetojmë të gjithë ne!”.

SHKARKO APP