Mustafa: Në ditët e ardhshme Kosova duhet të ketë kuvendin dhe qeverinë

Ai ka paralajmëruar se këto dy ditë “LDK-ja do të mbajë takimet e nivelit më të lartë partiak dhe do të vendosë të ndihmojë që Kosova sa më shpejt të ketë institucionet e saj demokratike në harmoni të interesave të qytetarëve”.
“Lidhja Demokratike e Kosovës ka treguar përkushtimin e saj që me koalicionin paszgjedhor të bëjë ndryshime të nevojshme për qeverisjen e mirë të vendit. Dy rrethana të reja kanë ndikuar që këtij koalicioni t’i vështirësohet arritja e këtyre objektivave. Janë vendimi i Gjykatës Kushtetuese, që i jap të drejtë vetëm PDK-së për të propozuar kryetarin e Kuvendit dhe kriteret e prezantuara nga Presidentja e Republikës së Kosovës, sigurisht të harmonizuara me partnerët ndërkombëtarë, për kushtet e mandatimit të qeverisë së ardhshme, e që janë shumica, partneriteti ndërkombëtar, dialogu dhe implementimi i marrëveshjeve nga dialogu, përfshirja e komuniteteve në qeverisje dhe listës serbe, si dhe gjithëpërfshirja”, thekson Mustafa.
Koalicioni, vijon ai, është zotuar se do ta votojë kandidatin që e propozon PDK-ja për kryetar të Kuvendit, përveç VV, për të hapur mundësi për konstituimin e Kuvendit.
“Edhe çështjet e tjera jemi të interesuar t’i realizojmë në harmoni me politikat e vendit, brenda sallës së Kuvendit dhe me votën e shumicës. LDK mbetet konsekuente ndaj partnerëve, por po ashtu momentet e reja imponojnë nevojën për sjellje të re, në mënyrë që Kosova të ketë kuvendin dhe qeverinë në ditët e ardhshme. Këto dy ditë LDK do të mbajë takimet e nivelit më të lartë partiak dhe do të vendosë të ndihmojë që vendi ynë sa më shpejt të ketë institucionet e saj demokratike në harmoni të interesave të qytetarëve”, përfundon Mustafa./KosovaPress/k.s/

SHKARKO APP