Mustafa: Në Paris ngrita zërin për më shumë lidhje me Shqipërinë

Kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa thotë se çështja e demarkacionit me Malin e Zi duhet të adresohet sa më parë në mënyrë që Kosova të mund të përfitojë liberalizimin e vizave në muajin shtator.

“Përfaqësuesit e qytetarëve në Kuvend, në përputhje me punën e komisionit shtetëror, qëndrimin e qartë të Departamentit të Shtetit, dokumentet gjermane dhe vlerësimet e komisioneve të ekspertëve ndërkombëtarë duhet të adresojnë çështjen e demarkacionit. Institucionet tona, po ashtu, do të vazhdojnë luftën e pa-kompromis kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar në mënyrë që në një të ardhme të afërt Këshilli i BE-së dhe Parlamenti Evropian të marrin vendim dhe qytetarët e Kosovës të fillojnë të lëvizin pa viza në vendet e BE-së. Ne kemi përkrahje për këtë hap dhe kjo do të ketë impakte të rëndësishme për vendin tonë”.

Ai deklaroi se mbështetja për Kosovën në Samitin e Parisit, tregon qartë perspektivën evropiane të vendeve të Ballkanit.

“Unë kërkova përkrahje për ndërtimin e Linjës 10 të hekurudhës që lidh Shkupin, Prishtinën dhe Beogradin, për të cilën tashmë kemi zhvilluar procedurat e negociimit me Komisionin Evropian, Bankën Evropiane për Rindërtim dhe Zhvillim si dhe me Bankën Evropiane për Investime.

Po ashtu, për kompletimin e Autostradës 7, që lidh Shqipërinë me Kosovën dhe me Nishin në Serbi, e cila lidh Detin Adriatik nga Durrësi përmes Kosovës me korridorin 10 të Rrjetit Evropian. Shpreha po ashtu interesin tonë që në sektorin e energjisë, të ndërtojmë kapacitete të reja gjeneruese, të riaftësojmë kapacitetet ekzistuese dhe të ndërtojmë linjat e interkoneksionit me vendet tjera të rajonit”, ka shtuar Mustafa.

SHKARKO APP