Mustafa në takimin me Lajçak: Integriteti territorial i Kosovës, i panegociueshëm
Në ditën e dytë të vizitës së tij në Kosovë, emisari special i BE-së për dialogun Mirosllav Lajçak është takuar sot edhe me kreun e LDK-së, Isa Mustafën. Kryetari i dorëhequr i LDK-së me këtë rast falënderoi diplomatin sllovak për bashkëpunimin dhe i bëri të ditur qëndrimin e LDK-së për procesin e dialogut me Serbinë.
“Për LDK-në është shumë e rëndësishme që Kosova të mbetet e përkushtuar në dialog konstruktiv, që do të sillte njohje reciproke dhe që sovraniteti dhe integriteti territorial i Republikës së Kosovës është i pa negociueshëm. Orientimi ynë mbetet ruajtja dhe kultivimi i partneritetit me aleatët tonë perëndimorë”, u shpreh Mustafa.
Lajçak ndodhet për vizitë treditore në Kosovë gjatë së cilës ai është takuar ushtruesen e detyrës së presidentes Vjosa Osmani, kryeministrin në detyrë Avdullah Hoti dhe me liderë të partive politike. Pas përfundimit të vizitës, diplomati sllovak do të vizitojë Malin e Zi dhe Serbinë.