Mustafa në Vatikan, Selia e Shenjtë përkrah Kosovën

Kryeministri i Republikës së Kosovës, Isa Mustafa, gjatë qëndrimit në Vatikan, ka takuar autoritete të larta të Selisë së Shenjtë.

Njoftimi i Kryeministrisë kosovare dërguar nga Vatikani thekson se, sot, kryeministri Mustafa mori pjesë në meshën e mbajtur për nder të shenjtërimit të Nënës Terezës në Bazilikën e Shën Pjetrit dhe më pas zhvilloi një takim me sekretarin e Shtetit të Selisë së Shenjtë, Kardinalin Pietro Parolin.

Gjatë takimit, kryeministri Mustafa e informoi për progresin në Kosovë.

Duke shprehur mirënjohjen e qeverisë dhe të popullit të Kosovës për përkrahjen e vazhdueshme të Selisë së Shenjtë, kryeministri Mustafa kërkoi mbështetje të mëtejshme për Kosovën.

Me këtë rast, kryeministri Isa Mustafa shprehu përkushtimin e shtetit të Kosovës për thellimin e gjithanshëm të bashkëpunimit me Selinë e Shenjtë.

Kryeministri Mustafa, po ashtu, theksoi krenarinë e madhe të popullit të Kosovës për shenjtërimin e Nënës Terezë, duke e falënderuar për respektin e posaçëm që i është bërë delegacionit të Kosovës, gjatë këtyre ceremonive.

Sekretari i Shtetit i Selisë së Shenjtë, Kardinali Pietro Parolin, shprehu përkrahjen e Selisë së Shenjtë për Kosovën, duke i uruar Kosovës mbarësi në proceset e saj zhvillimore.

Kardinali Parolin, po ashtu, theksoi kënaqësinë e tij për pjesëmarrjen e shumë shqiptarëve dhe qytetarëve të Kosovës në ceremoninë e shenjtërimit të Nënës Terezë. Gjatë qëndrimit në Romë, kryeministri Mustafa ka takuar edhe Nuncin Apostolik të Vatikanit për Slloveni dhe Kosovë, Juliusz Janusz.

SHKARKO APP