Mustafa: Pakti i Brukselit nuk e cënon drejtësinë tonë
Në mbledhjen e kësaj të enjteje të qeverisë, kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa ka vlerësuar se marrëveshja e drejtësisë e nënshkruar në Bruksel me Serbinë ruan sistemin unik të drejtësisë në Kosovë.
Sipas tij, marrëveshja parashikon aplikimin e legjislacionit kosovar në tërë territorin e Kosovës, ruan autoritetin e emërimit të gjyqtarëve dhe prokurorëve sipas ligjeve dhe institucioneve të Kosovës dhe nuk ndërhyn në asnjë akt ligjor të vendit.
Kryeministri Mustafa ka njohur kabinetin qeveritar edhe me takimet e zhvilluara në Munih të Gjermanisë dhe në Bruksel me sekretarin e përgjithshëm të NATO-s, Jens Stoltenberg. Mustafa tha para kabinetit se, në takimet e zhvilluara është diskutuar gjerësisht problemi i emigracionit.
“Ne do t’ju ofrojmë sigurinë e plotë, por ne nuk mund ta zgjidhim problemin e punësimit dhe problemet e tjera për një periudhë të shkurtë kohore. Programi ynë qeveritar, të cilin do ta aprovojmë javën e ardhshme, si dhe masat të cilat ne jemi angazhuar t’i marrim në nxitjen e zhvillimit ekonomik, sidomos në fushën e bujqësisë por edhe në fusha të tjera, mundësojnë që ne në mënyrë të qëndrueshme të sigurojmë kushte që njerëzit të jetojnë këtu, të kenë perspektivë këtu dhe me vendet e BE-së të ndërtojmë një partneritet afatgjatë”, ka thënë Mustafa.
Shefi i ekzekutivit ka thënë në vazhdim se, në të gjitha takimet e zhvilluara është theksuar nevoja për përkrahjen e vendeve të BE-së për nënshkrimin e kontratave për punësim sezonal dhe Kosova ka nevojë përkohësisht që t’i zgjidhë këto probleme përmes një partneriteti të tillë e jo përmes emigrimit të parregullt.
Gjatë mbledhjes është miratuar edhe vendimi që autorizon Ministrinë e Administratës Publike të veprojë për reduktimin e automjeteve në shërbim të anëtarëve të qeverisë.
Vendimi detyron të gjitha ministritë dhe agjencitë në vartësi të tyre që të bashkëpunojnë me Ministrinë e Administratës Publike për identifikimin e automjeteve shtesë dhe ekonomikisht të pafavorshme në pajtim me legjislacionin në fuqi.